Klubi basketbollistik Trepça për herë të parë do të garojë në grupet e FIBA Europe Cup.
Mitrovicasit nesër (e mërkurë) në orën 19:00 do të përballen me ZZ Leiden nga Holanda.
Ky është takimi i parë për “Xehetarët” në FIBA Europe Cup, pasi javën e kaluar sfida me skuadrën izraelite Hapoel Galil Elion nuk është zhvilluar për shkak të situatës në Izrael.
Ndërkohë, holandezët e kanë nisur me fitore ndeshjen e parë duke mposhtur BCM Gravelines Dunkerque me shifrat 77:69.
Atmosfera në Mitrovicë pritet të jetë “elektrizuese” për sfidën evropiane. Mitrovicasit edicionin e kaluar ishin në kualifikime për grupet e FIBA Europe Cup, por nuk ia arritën qëllimit të hyjnë në grupe, që e arritën këtë vit në Estoni.
Fituesit e Kupës dhe Superkupës së Kosovës pritet të kenë paraqitje dinjitoze në garat evropiane.