Trepça ka shënuar fitore të madhe, duke mundur Pejën me rezultat 97:90 (19:21, 23:25, 25:27, 30:17), duke kaluar në epërsi 2:1 në “play-off” të finaleve. Mitrovicasit bën përmbysjen në dhjetë minutat e fundit, ndërsa sfida e radhës zhvillohet të dielën në Pejë.
Pas një fillimi të barabartë prej 8:8, ku të gjitha pikët për mysafirët i shënoi Arti Hajdari, verdhezinjtë me katër pikë radhazi kishin epërsi prej 8:12, por më pas një seri prej 7:0 e vendasve përmbysi rezultatin në 15:12, ndërsa çereku i parë përfundoi 19:21. Lojë e barabartë u zhvillua edhe në periudhën e dytë, përkatësisht deri në fund të kësaj pjese, ku pejanët me një seri të suksesshme shkuan në pushim me shifrat 42:46.
Në periodën e tretë, skuadra pejane kishte epërsinë më të lartë, në nëntë pikë, 53:62, por mitrovicasit sërish nuk u dorëzuan, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 67:73. Përmbysja e madhe dhe vendimtare ndodhi në dhjetë minutat e fundit. ‘Xehetarët’ mobilizohen maksimalisht dhe me ndihmën e madhe të tifozëve rikthejnë epërsinë në të mirë të tyre, duke triumfuar 97:90.
Më të mirët te vendasit ishin Drilon Hajrizi me 28 pikë e shtatë kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 24 pikë, katër kërcime e katër asistime, kurse më të mirët te mysafirët ishin Brad Waldow me 17 pikë e pesë kërcime dhe Devoe Joseph me 21 pikë.