Trepça nuk ka hasur në vështirësi për ta fituar ndeshjen e xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në basketboll. Të shtunën në “Minatori”, Trepça e mposhti Vëllaznimin e Gjakovës me rezultat 107:85.
Skuadra mitrovicase ka mbajtur vazhdimisht epërsi të lartë, pas shkëputjes së bërë që në çerekun e parë.
Trepça përfundon në pozitën e katërt me 45 pikë. Ndërkohë Vëllaznimi në plejof starton prej pozitës së gjashtë. Në 28 ndeshje ka mbledhur 37 pikë.
Trepça në çerekfinale të plejofit luan me Bashkimin, ndërsa Vëllaznimi me Yllin.
Ndeshja e së shtunës nuk kishte ndonjë ngarkesë të madhe. Te Trepça ka shkëlqyer Mikaile Tmushiq, që realizoi 22 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. 22 pikë i kishte edhe Jamal Artis, që shtoi pesë kërcime e tri asistime. Trajneri Engin Gençoglu rastin ua ka dhënë të gjithë lojtarëve.
Te Vëllaznimi më i miri ishte Jordan Harris me 29 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Shendrit Llapi i kishte 16 pikë e 11 kërcime.