×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Tri jetët e Jasmina Rezës

    Insajderi
    19 October 2023 - 16:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autore: Anxhela Hoxha Çikopano

    Dramaturgia Jasmina Reza është ngjitur në skenën shqipfolëse me pjesët “Art” dhe “Zoti i masakrës”, kjo e fundit e njohur edhe prej një publiku që shkon përtej sallës së teatrit, për shkak të përshtatjes filmike të vitit 2011, realizuar nga Roman Polanski me titullin “Masakra”. Në përgjithësi, vepra e Rezës karakterizohet nga problematika të kohës, nga vështirësi të marrëdhënieve personale, nga paradokset e të qenit njeri, tema këto që autorja i trajton me muzikalitet, stil, të hollë, lakonik, shpesh edhe lirik. Si vepër e parë e botuar e saj vjen “Jetuar tri herë”, që në origjinal titullohet “Trois versions de la vie” (ad literam: “Tri versione të jetës”), për t’u dhënë mundësinë artistëve e publikut të përballen me natyrën njerëzore e marrëdhëniet mes nesh, në të njëjtën situatë, që nuk është kurrë njësoj, sepse çelësa të vegjël sjellin ndryshime të mëdha. Thuajse me një efekt “krah fluture”, pjesa shpaloset tri herë, sa e ngjashme, aq edhe e ndryshme. Edhe pse konsiderohet komedi, vetë Reza këmbëngul se ajo nuk shkruan komedi, por tragjedi, që ndodh të jenë komike. “Mbase është një zhanër i ri,” citojmë vetë autore.

    Me pak fjalë, një çift, Sonja dhe Henri, që nuk po vënë dot në gjumë djalin e tyre të vogël, Arnonë, detyrohen të presin një vizitë të papritur: Hyberin me Inesin, një astrofizikant me peshë me të shoqen, të cilët, kanë ardhur për darkë një natë më herët nga ç’duhet të vinin. Arno, edhe pse nuk e shohim kurrë se ndodhet në dhomën tjetër, është gjithmonë i pranishëm, duke e ndërprerë bisedën herë pas here, ku copëzimi i rrjedhës kohore për t’iu gjendur nevojave të tij, nuk është rastësi, por një mjet i përdorur enkas nga Reza për të rritur tensionin dramatik. Edhe vetë konflikti mes personazheve lind prej një keqkuptimi kohor: ardhja e miqve një natë më herët, një truk ky, që në versionin e tretë, Reza do ta përdorë si një mjet të qëllimshëm për përthyerjen e kohës në gojën e Hyberit. Si në shumicën e pjesëve të saj, ajo sjell një fabul që dokumenton rënien e shpejtë e tragjike të qytetërimit në kaos, çka sjell pas edhe shkatërrimin e marrëdhënieve njerëzore, sado solide të duken ato. Edhe kjo vepër e saj, në fund, mbetet si një bombë gati të shpërthejë, duke u luhatur mes tragjedisë e komedisë, ku sado që përgatitet shtrati tragjik, tragjedia nuk ndodh kurrë. Ellistar Mekëllej (Alistair Macaulay), pas vënies së shfaqjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkruan për “Financial Times” se versioni i parë është një farsë, i dyti shkatërrimtar dhe i treti filozofik e i pjekur.

    Për sa i përket strukturës së pjesës, “Jetuar tri herë” ka thyerje e shtresëzime të dallueshme të botës së personazheve, nga akti në akt, edhe pse, sipas parimeve aristoteliane të dramaturgjisë, pritet të ndodhë e kundërta. Bota mbetet e njëjta dhe personazhet e vëzhguar në mënyrë gati vojeuriste, nuk janë të ndërgjegjshëm që po përjetojnë tri versione të ndryshme të së njëjtës natë. Ata nuk janë të ndërgjegjshëm as mbi faktin që publiku ekziston e po i sheh, po Reza kur shkruante pjesën, mendonte se nëse publiku nuk do të bashkëpunonte me veprën, gjithçka do të shkonte në dreq. Ajo vetë thotë se nuk i kërkon publikut të krahasojë versionet, por e detyron atë ta bëjë këtë, duke i mbivendosur në një realitet, ku i vetmi pikëvështrim që ndryshon është ai i dramaturgut, si një Zot që rikrijon versione të së njëjtës botë. Ashtu si, Daniela Hurezanu dhe Rejmond Këno e citojnë autoren në një intervistë për “World Policy Journal”: “Shkrimtarët, ashtu si tiranët, janë të aftë ta përthyejnë botën sipas vullnetit të tyre.” 

    Në lidhje me vendin e veprimit, Amanda Zhiger me të drejtë vëren natyrën abstrakte të skenografisë së “Jetuar tri herë”, po edhe titullin si tri versione të jetës e jo thjesht të një darke, sepse kështu autorja e çon debatin përtej asaj që ndodh në çastin kur personazhi merr një lajm të papritur. Secili prej nesh, duke parë një të tillë shtresëzim jetësor e qasje të ndryshme vendimmarrjeje në një çast të caktuar, mund të ngrejë lehtësisht dyshime për jetën e tij e për vendimet e marra në çaste kritike, në raport me rrethanat e gjendjen psikologjike në të cilën është ndodhur. Sepse çdo personazh-njeri mund të jetë ai që është, mirëpo në një çast të caktuar, nuk është e thënë të jetë ai që kemi njohur gjithmonë. Vetë Reza thotë se këtë e sjell përmes pak fjalësh, përmes simptomash lehtësisht të lexueshme, që i kemi të gjithë nga pak. Autorja, “fajin” e fjalëve të pakta e shpjegimeve të kursyera ia vë padurimit të saj dhe mërzitjes që i shkaktojnë sqarimet e gjata mbi të shkuarat e personazheve. Kjo e shtyn drejt një lloj besnikërie të veçantë vetëm ndaj asaj që dëshiron të tregojë, duke krijuar një narrativë të pazakontë. Edhe gama e bisedave që ofron Reza në këtë pjesë, duket se i prek nga pak të gjithë. Luhatur mes detajeve banale si “Kubeti”, “Mikado”, thashethemet e rëndomta për një çift që nuk është i pranishëm në dhomë, te problemet e përditshme, rutina e fëmijëve, edukimi i tyre e deri te tema të mëdha si botimet shkencore e aurorat e galaktikave, duket se nuk lënë asnjë pa e përfshirë në ngjarje. Mirëpo “detajet banale” dhe abstraktja në skenografi, nuk janë më kot tipike në pjesët e Rezës. Ajo kërkon “vende jo-ekzistuese”, neutrale, të cilat do ta marrin peshën e hapësirës skenike vetëm falë fjalëve të personazheve. Kështu, sa më abstrakte dhe më të vagullta të jenë gjurmët skenografike të parashtruara nga autorja, aq më të sakta janë detajet që sjellin personazhet në fjalët e tyre, siç vërehet me “Kubeti”, “Mikado”, “Sanser” apo vendndodhja e shtëpisë së vjetër a të re, vendet e punëve, revistat shkencore, etj. Dhe sado nën qiell të hapur të duken fillimisht vendet e veprimit, aq më shumë do të ngushtohen ato, pikërisht prej marrëdhënieve njerëzore.

    Për sa i përket veprimit skenik, teatri i Rezës karakterizohet në përgjithësi nga një tension që zhvillohet fillimisht mes personazheve që shohim, por ngadalë nxjerr në sipërfaqe të tjera tensione personale dhe dëshmon kriza të vërteta identiteti. Kemi personazhe të brengosura, të shpërfillura, të shtyra drejt dështimit, aq sa u duket se mënyra si i shohin të tjerët ua shton pavlefshmërinë. Ato që thonë janë treguesit e krizave të identitetit, që është edhe baza e vuajtjeve të tyre: si të ekzistosh para të tjerëve, kur nuk merr dot në dorë fatin tënd? Duke ardhur edhe vetë nga aktrimi, veprat e Rezës përqendrohen te ndërtimi i personazheve dhe te marrëdhëniet mes tyre apo edhe te mungesa e këtyre marrëdhënieve, ndaj mjafton një shkëmbim fare i rëndomtë njerëzor dhe mes personazheve zgjohen tensione. Kritikët e klasifikojnë Rezën si një autore me humor të sofistikuar, mizor, përçmues, të lig e shpues (që të gjitha përdorur si komplimente) dhe shpesh mendojnë se ajo kënaqet kur nxjerr në pah ligësitë e këtyre përfaqësuesve të shtresës së mesme-të lartë, që fillimisht duket se janë në rregull me veten dhe se punët u venë fjollë. Vetë Reza thotë në një intervistë për “Los Angeles Times” se pjesët e saj flasin për njerëz që janë rritur për së mbari, po që e humbin kontrollin e vetes. Shumica e personazheve të saj janë me natyrë impulsive dhe pjesët mund të konsiderohen si “teatër nervash”. Duhet të jemi të qartë, që koncepti i “teatrit të nervave” buron nga përgjigja që i ktheu Beketi (Beckett) ankesës së aktores amerikane Xhesika Tendi (Jessica Tandy), kur ajo i shkroi se publiku nuk do ta kuptonte pjesën e tij, “Jo unë”. Në telegram ai i përgjigjej: “Shpresoj që pjesa t’i ngacmojë nervin publikut e jo inteligjencën.” Në fund të fundit, siç thotë, Sheridan Morli (Sheridan Morley): “Pjesët e saj [Jasminës] janë sfiduese nga ana intelektuale, po ajo nuk ngre probleme kaq të thella, sa të mos mund diskutohen nga të gjithë, madje edhe të hidhen poshtë nga kushdo, gjatë një darke pas shfaqjes.”

    Nëse te “Zoti i masakrës”, Reza luan me dinamika të thekshme mes individit e grupeve gjinore, këtu ajo i sfidon hapur stereotipat, pasi personazhet ruajnë pak ngjashmëri karakteriale nga akti në akt. Ashtu si në pjesë të tjera të Rezës, personazhet gjatë krizave të identitetit kthehen herë në bashkëpunëtorë e herë në kundërshtarë, sepse, kur vihet në dyshim dimensioni ekzistencial i vetes, vihet në dyshim edhe kuptimi i jetës dhe njeriu lehtësisht mund të jetë sa vrasësi, aq edhe viktima. Në këtë vepër, personazhet përpiqen të ruajnë ekuilibrat e një sistemi, që nuk mund të zerohet kurrë për shkak të natyrës së pashuajtshme të energjisë, po arrijnë veç të shndërrohen brenda tij, si të jenë një galaktikë me katër yjësi të ndryshme, që ndërrojnë vende, ulen e ngrihen, afrohen e largohen në një kërcim të pandalshëm. Natyra muzikore e veprave të Jasminës vërehet edhe nga Thaka Mutin Husein, në tezën e saj: “Kërkimi i identitetit në teatrin e Jasmina Rezës”, kur citon Lakis Proguidis (Lakis Proguidis), sipas të cilit “Jetuar tri herë” i përngjan kompozimit muzikor të një fuge me katër zëra, me një temë të vetme, përsëritur disa herë në forma të ndryshme, me kohët, sinkopat, ndalesat e gjithë ligjet e thyerjes.

    Një tjetër tipar përcaktues në veprën e Rezës, vërehet me të drejtë nga Soare: kaosi. Henri, një prej personazheve të veprës, pretendon se njerëzit ndikojnë në enciklopeditë e dijeve tona e pse jo, edhe në enciklopedinë e sjelljeve njerëzore. Këto sjellje njerëzore autorja i mbështet në teorinë e kaosit, pararendës i së cilës është një prej emrave të përmendur në vetë pjesën: Henri Puankare (Henri Poincaré). Soare citon shpjegimin e Mariano Xhakintës (Mariano Giaquinta) për fenomenin e sjelljes kaotike: “Sjellja kaotike mund të shkaktohet nga vartësia me ndjeshmëri të lartë e parametrave të sistemit, si edhe nga vartësia me ndjeshmëri të lartë e të dhënave fillestare”. Këto të dhëna fillestare mund të jenë origjina e kaosit, një këndvështrim ky që e sjell pjesën e Rezës si mishërim të teorisë së kaosit e paparashikueshmërisë, zbatuar në përvojën njerëzore, përmes një forme teatrale. Vetë Reza, në intervistën me Hellerstajn pranon se kjo është një qasje shumë e vështirë për shkrimtarin, se janë të njëjtat fjalë, që nuk thuhen njësoj në varësi të marrëdhënies që ke me tjetrin: ndryshon gjithçka nëse e urren dikë apo e josh atë.Siç ndodh rëndom me Rezën, ajo u jep aktorëve diapazon për të shpërfaqur cilësitë e tyre, meqë secili prej versioneve kërkon një tjetër qasje psikologjike dhe të ndërtimit të karakterit. “Jetuar tri herë” është një sprovë e qartë e autores për të manipuluar strukturën dramaturgjike, mirëpo pakujdesia në zbërthimin e lojës aktoriale, sjell rrezikun e perceptimit të karaktereve njerëzore si buratinë dhe jo si kanavacë, ku marrëdhëniet njerëzore shndërrohen në material eksperimentesh shkencore. Suksesi i dallimeve të qarta mes situatave mbetet në dorë të regjisorit e aktorëve, gjë që me sa duket solli edhe ndryshime të mëdha në pritjen që i ka bërë kritika pjesës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, ku u duartrokit më fort.

    Sado larg të shkojë Reza me tragjizmin e saj komik, ajo niset gjithmonë nga pika ku të gjithë e gjejmë veten. Dramaturgia sjell njerëz në situata të rëndomta e të përditshme, skena martesore e familjare, që befas shndërrohen në akte të vërteta mbijetese, teksa rrethanat dhe të pathënat e mbledhura brenda vetes, i çojnë personazhet të luftojnë me veten e tyre, ndërsa përballen me të tjerë dhe veprojnë siç i udhëheq një instinkt i brendshëm kafshëror. /ExLibris/

    *(Fusnotat i hoqi redaksia e gazetës online “Insajderi”)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark