Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se është i hapur për të shqyrtuar një falje të mundshme për producentin e njohur muzikor Sean “Diddy” Combs, i cili ndodhet aktualisht në gjyq në New York për trafikim seksual dhe krime të tjera të rënda.
Gjatë një konference për shtyp, Trump u pyet nëse do të merrte parasysh një falje për Combs.
“Askush s’më ka kërkuar, por e di që disa po e mendojnë,” tha ai. “Mendoj se disa njerëz kanë qenë shumë pranë për ta kërkuar.”
Combs u arrestua në shtator 2024, pasi u akuzua për pjesëmarrje në një rrjet të strukturuar kriminal, drogim dhe detyrim të grave për marrëdhënie seksuale me të dhe persona të tjerë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Hetimet nisën pjesërisht pas padisë civile të ngritur në vitin 2023 nga ish-partnerja e tij, Cassie Ventura, e cila e akuzonte për dhunë fizike dhe përdhunim. Edhe pse çështja u zgjidh shpejt, disa gra të tjera paraqitën padi të ngjashme muajt në vijim.
Fillimisht, Combs i mohoi akuzat. Por në maj 2024, CNN publikoi pamje të kamerave të sigurisë nga një hotel në Los Angeles, ku ai shihet duke goditur me grushte dhe shkelma Cassie-n në një ngjarje që daton nga viti 2016. Pas publikimit, Combs e pranoi sjelljen në një deklaratë në Instagram, duke e quajtur atë “të pafalshme.”
Avokatët e tij kanë pranuar aktin e dhunës ndaj Venturës, por mohojnë akuzat për trafikim seksual dhe krime të tjera.
Trump tha se nuk e ka ndjekur nga afër procesin gjyqësor, por është i vetëdijshëm për vëmendjen që po merr nga mediat.
I pyetur për marrëdhënien me Combs, Trump tha se nuk e ka takuar prej vitesh, por dikur kishin një raport të mirë.
“Dikur më pëlqente shumë. Mendoj se kur hyra në politikë… ajo marrëdhënie u prish. Të paktën sipas asaj që kam lexuar. Nuk ma ka thënë ai, por kam parë disa deklarata të pakëndshme.”
Trump shtoi se do të bazohej në fakte për të marrë çdo vendim. “Sigurisht që do të shikoja faktet. Nëse mendoj se dikush është trajtuar padrejtësisht – pavarësisht nëse më pëlqen apo jo – kjo nuk do të ndikojë në vendimin tim,” theksoi ai.
Nëse Trump do të falte Combs në rast se shpallet fajtor, vendimi do të ishte shumë i diskutueshëm për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe ekspozimit mediatik të çështjes.
Megjithatë, Trump ka falur më parë emra të njohur si Todd dhe Julie Chrisley, reperin NBA YoungBoy, dhe së fundmi ka dhënë një falje të përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në trazirat e 6 janarit në Kapitol.