Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, mund të jetë një nga emrat që do të përballet me sanksione nga FIFA menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës.
Teksa përgatit skuadrën për gjysmëfinalen historike ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës, e cila do të zhvillohet në “Atlanta Stadium”, i njohur më parë si “Mercedes-Benz Stadium”, tekniku gjerman rrezikon të përballet me pasoja disiplinore për deklaratat e tij publike.
Tuchel, i cili ka kontratë me Anglinë deri pas Euro 2028, ka arritur tashmë një sukses që vetëm tre trajnerë të tjerë në historinë e “Tre Luanëve” e kanë realizuar më parë – Sir Alf Ramsey, Sir Bobby Robson dhe Sir Gareth Southgate – duke e çuar kombëtaren angleze në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Megjithatë, ndërsa synon ta rikthejë Anglinë te titulli botëror dhe të hyjë në histori si trajneri që i dha fund pritjes së gjatë për trofeun, ai mund të përballet me një tjetër sfidë pas përfundimit të turneut.
Sipas raportimit të “The Athletic”, FIFA ka vendosur të presë mbylljen e Kupës së Botës përpara se të shqiptojë sanksione ndaj futbollistëve dhe trajnerëve që konsiderohet se kanë dëmtuar imazhin e futbollit.
Vendimet do të bazohen në raportet e arbitrave, por edhe në faktorë të tjerë që do të shqyrtohen nga organet disiplinore.
Një nga arsyet që mund të çojë në ndëshkimin e Tuchelit janë kritikat e tij publike ndaj arbitrave pas ndeshjes së 1/8 së finales kundër Meksikës, kur mbrojtësi Jarell Quansah u përjashtua me karton të kuq nga arbitri australian Alireza Faghani.
“Nuk është mjaftueshëm mirë. Ai (arbitri) mund të nxjerrë jashtë çdo skuadër në çdo moment. Kjo nuk është e pranueshme. Vendimet janë të paqëndrueshme dhe të pabesueshme gjatë ndeshjeve.
“Tani kemi edhe arbitrat e katërt që të bërtasin sapo nxjerr një këmbë jashtë zonës teknike. Kjo nuk është e pranueshme”, kishte deklaruar Tuchel pas ndeshjes.
Pas kartonit të kuq, Quansah u pezullua për dy ndeshje, duke humbur çerekfinalen ndaj Norvegjisë dhe gjysmëfinalen kundër Argjentinës.
Nëse FIFA arrin në përfundimin se deklaratat e Tuchelit kanë dëmtuar reputacionin e futbollit, trajneri anglez mund të ndëshkohet me gjobë ose edhe me pezullim nga stoli. Megjithatë, çdo vendim do të merret vetëm pas përfundimit të turneut.
Gjatë këtij Botërori janë shtuar edhe pretendimet se arbitrat kanë favorizuar Argjentinën në disa ndeshje.
Lidhur me këto akuza ka reaguar shefi i arbitrimit në FIFA, Pierluigi Collina, i cili ka mbrojtur integritetin e gjyqtarëve.
“Kur zhvillohen kaq shumë ndeshje në një periudhë kaq të shkurtër, është normale që disa gjëra të mos shkojnë sipas planit.
“Kur ndodh kjo, arbitrat punojnë edhe më shumë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e radhës.
“Diskutimet konstruktive për vendimet e arbitrave do të jenë gjithmonë pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në sportin tonë”, deklaroi Collina.
Ai shtoi gjithashtu se askush nuk mund të vërë në dyshim paanshmërinë e arbitrave të FIFA-s.
“Askush nuk mund të vërë në dyshim integritetin e arbitrave të Kupës së Botës. Po ashtu, askush nuk mund të pretendojë se arbitrimi i FIFA-s mund të ndikohet nga dikush, madje as nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Arbitrat marrin vendime me ndershmëri dhe, ashtu si lojtarët dhe trajnerët, gjithmonë përpiqen të japin më të mirën”, përfundoi Collina.