Thomas Tuchel, trajneri i Chelsea, ka kritikuar ashpër gjyqtarin polak Marciniak pasi skuadra e tij doli nga Liga e Kampioneve në duelin në “Santiago Bernabeu” përballë Real Madrid.
Trajneri deklaroi menjëherë pas sfidës se kishte qenë shumë i inatosur kur e kishte parë gjyqtarin teksa qeshte me Ancelottin në fund të duelit.
Akuza e tij bëri xhiron e rrjetit dhe sigurisht nuk munguan edhe “komplotistët” e zakonshëm të cilët akuzuan për tendencën e gjyqtarëve për të mbrojtur Realin. Por në fakt është zbuluar se arsyeja pse ai po qeshte në ato momente me teknikun italian, ishte një batutë e këtij të fundit.
Mediat italiane raportojnë se duke dalë nga fusha, Ancelotti i është drejtuar në anglisht gjyqtarit polak. “Ke dhënë 3 minuta shtesë pas 120 minutash pasi dëshiron që të më plasë zemra?”, mësohet t’i ketë thënë me humor Ancelotti dhe aty gjyqtari nuk ka mbajtur dot të qeshurën. Një skenë që është keqinterpretuar nga Tuchel i cili bëri atë reagim në konferencën për shtyp pas sfidës.