Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijes vazhdon të mbetet i ndërprerë, për shkak të nivelit të lartë të turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc, i cili është mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt.
Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të këtyre parametrave të papërshtatshëm, impiantet për trajtimin e ujit të pijes nuk janë në gjendje të operojnë normalisht.
“Ju njoftojmë se niveli i turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt të ujit, për çka Impiantet për Trajtimin e Ujit të Pijes nuk mund të operojnë. Edhe pse gjatë orëve të mbrëmjes është vërejtur një rënie e përkohshme e turbullshmërisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit të ujit, situata ka ndryshuar sërish dhe niveli i turbullshmërisë ka shënuar rritje, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së ujit për konsum. Si pasojë, furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë, ndërsa uji që eventualisht mund të arrijë në rrjet NUK duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës”, thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.
Më tej, kompania bën të ditur se ekipet janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe parametrave të ujit, ndërsa rifillimi i trajtimit do të bëhet menjëherë sapo kushtet teknike ta mundësojnë këtë proces. Për çdo risi, ndryshim apo zhvillim të mëtejmë, konsumatorët do të informohen në kohë reale përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.