×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Turp të keni”, Vuçiq i reagon vendeve të QUINT-it që i kërkuan Listës Serbe të mos bojkotojë votimin e 21 prillit në veri

    Insajderi
    11 April 2024 - 23:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shtetet e QUINT dhe BE kanë kërkuar nga Lista Srpska dhe të gjithë të tjerët që kanë bërë thirrje për tërheqje nga votimi i 21 prillit për tërheqjen e kryetarëve në komunat veriore, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre.

    Pas kësaj ka reaguar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha se vendet e QUINT-it, duhet të turpërohen nga akuzat e tilla.

    “Pashë që disa po përpiqen të predikojnë, çfarë pafytyrësie”, tha Vuçiq, duke përgjigjur në pyetjen e gazetarit në lidhje me faktin se QUINT-i po ua hedh fajin serbëve për bojkotin e shpallur të votimit më 21 prill.

    Siç raporton B92, Vuçiq tha se Albin Kurti fillimisht i organizoi zgjedhjet në të cilat dolën 3.4 për qind e qytetarëve, ndërsa më parë kishte kryer aksione të panumërta kundër serbëve.

    “Arrestuan serbët, keqtrajtuan, rrahën, plagosën… Pastaj ai [Kurti] organizoi zgjedhje brilante me 3.4 për qind të njerëzve që dolën. Por kjo nuk është problem. Ata na thanë pranoni të merrni pjesë dhe ata do të japin dorëheqjen. Kur ne pranuam, thonë – nuk do të japin dorëheqje”, ka kujtuar Vuçiq, transmeton Telegrafi.

    Pas kësaj, thotë ai, nga QUINT-i u kanë thënë serbëve që të paraqesin peticion, ku do të duhej të mblidheshin nënshkrimet e 20 për qind të votuesve të regjistruar.

    “Dhe kur me të gjitha dredhitë e Kurtit, i mbledhim ato nënshkrime, thonë – jo, hajde të shkojmë në referendum. Dhe referendumi kërkon 50 plus 1 votë. Epo nuk ka edhe aq serb duke jetuar atje… Regjistruan aty edhe 862 persona”, theksoi presidenti i Serbisë.

    Sipas tij “ndaj të gjithave këtyre reagoi Lista Serbe dhe theksoi se në fakt është e pakuptimtë, sepse serbët nuk mund të durojnë më terrorin”.

    “Edhe pas 3,4 për qind të atyre që kanë dalë në votime thonë – Beogradi është fajtor? Turp të keni. Shikohuni në pasqyrë, o gënjeshtarë”, tha Vuçiq.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark