
Ministria e Shëndetësisë, i ka dhënë tenderin për renovim të objektit të depos se barnave, kompanisë me të shtrenjtë ofertuese. Kompania “Termontimi” u shpërblye me kontratën në vlerë prej 1,770,554.42 €. Lidhur me këtë, janë ngritur dyshime se MSH ka favorizuar kompaninë me fjalë, përmes kritereve që ka caktuar. Madje, ky dikaster po akuzohet se edhe i ka kufizuar qasjen në dokumente të tenderit, operatorëve të tjerë ekonomik.
Gazeta Insajderi
Dhjetë kompania i kishin hyrë garës për tenderin, “Renovimi i objektit te depos se Barnave dhe ndërtimi i ankesit“.
Kjo kontratë u dha nga Ministria e Shëndetësisë me 19.03.2025, dhe garën e fitoi kompania më e shtrenjtë ofertuese.
“Termontimi” u shpërblye me kontratën në vlerë prej 1,770,554.42 €.
Lidhur me këtë tender, janë ngritur dyshime për favorizim ndaj ministrisë. Sipas ankesave, MSH në dosjen e tenderit nuk ka dhënë afat kohor për përfundimin e punimeve. Por, ky informacion sipas kompanisë që u ankua iu dha “Termontimit.
I cili si duket edhe i ka shkuar për shtati parashikimeve të ministrisë për t’u finalizuar sa më shpejtë punimet.
Si u përzgjodh “Termontimi” për kontratë dhe dyshimet për shkelje të ligjit nga MSH?
Në Organin Shqyrtues te Prokurimit, një kompani ka dorëzuar një ankesë ndaj Ministrisë që udhëhiqet nga Arben Vitia.
Ministria akuzohet se ka dështuar në disa nivele sa i përket këtij tenderi, si: Të sigurojnë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të buxhetit të AK; Të mos ndikohen nga interesat personale, të karakterizohet me jo-diskriminim dhe me një shkallë të lart të transparencës.
Aty thuhet se në tenderin “Renovimi i objektit te depos se Barnave dhe ndërtimi i ankesit“, janë shkelur disa nene: Qëllimi;Ekonomiciteti dhe Efikasiteti, Ekzaminimi, Vlerësimi dhe Krahasimi i Tenderëve.
Sipas operatorit ankues, MSH nuk i kanë dhënë qasje të plotë, në dokumentet që i kërkuan për tenderin.
“Me datën 20.03.2025 në ora përmes Platformës së E-prokurimit kemi bere kërkese për qasje në dokumente e tenderit dhe Autoriteti Kontraktues. Zyrtari e Përgjegjës i Prokurimit (ZPP) me datën 21.03.2025 përmes E-mailit zyrtar na i ka dërguar vetëm një pjese të dokumentacionit të ofertës së OE:TERMOMONTIMI SH.P.K dhe Raportin e Vlerësimit të ofertave, duke u arsyetuar së OE: TERMOMONTIMI SH.P.K së bashku me ofertën ka dorëzuar Aneksin 3- Kërkese për Sekret Afarist“, shkruhet ndër të tjerash në ankesë.
MSH në dosjen e tenderit, thuhet se nuk e ka shënuar afatin minimal dhe maksimal se kur duhet të përfundojnë punimet.
Kjo ka ngritur dyshime se u bë qëllimisht për ta favorizuar kompaninë fituese.
“E vërteta është së AK- Ministria e Shëndetësisë as në Njoftimin për Kontrate dhe as në Dosjen e Tenderit në asnjë vend nuk ka shënuar – përcaktuar afatin e kryerjes së punëve: min 6 muaj -max 24 muaj. Në konsiderojmë së mos vendosja nga AK e kësaj informate kaq të rëndësishme në Njoftimin për Kontrate dhe Dosje të Tenderit ka qene e qëllimshme për ta favorizuar OE që AK ka shpërblyer me kontrate. Ketë e dëshmon fakti së është i vetmi OE që ka ofertuar me afat të kryerjes së punëve prej 180 dite- 6 muaj (aftin minimal) që dhe ka ofertuar më çmimin me të larte nga dhjete ofertat e pranuara nga AK për ketë aktivitet të prokurimit. Këto veprime të AK dhe oferta e OE të rekomanduar për kontrate na bene të dyshojmë së OE i rekomanduar për kontrate ka qene i vetmi OE që ka pasur informatën për aftin minimal të kryerjes së punëve para së të ofertoj“, theksohet aty.
Në ankesën e operatorit ekonomik, theksohet se nga MSH u shprehen se interesi tyre është që të rinovohet objekti sa më shpejt.
“Gjate përgatitjes së aktivitetit të prokurimit e kemi kufizuar minimumin 6 muaj dhe maksimumin 24 muaj për kryerjen e punëve. OE i rekomanduar e ka ofruar afatin 6 muaj, andaj nuk ka asnjë arsye qe ti kontestohet kjo gjë, andaj ne ketë aspekt ne si AK jemi plotësisht ne përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi“, ky ishte arsyetimi që iu dha kompanisë ankuese.
Aty po ashtu thuhet OE: TERMOMONTIMI SH.P.K nuk e ka plotësuar kërkesën të Kapaciteteve Teknike dhe Profesionale që ka të beje me mjetet për realizimin e kontratës dhe dëshmi mbi pronësinë (apo të marrjes me qira).
Duke rekomanduar për kontratë “Termontimi”, sipas tyre u dëmtua buxheti o qytetareve të Republikës së Kosovës për afro 300 mijë euro.
Pas publikimit të këtij shkrimi kanë reaguar nga MSH. Kjo është përgjigja e plotë:
“Absolutisht jo, oferta fituese ka dalë si oferta ekonomikisht më e favorshme (shih të bashkangjitur tabelën me formulën e kalkulimit), bazuar në tre kriteret e përcaktuara: Çmimi – 70% Kryerja e punëve – 20% Garancioni i punimeve (nga 1 deri 10 vite) – 10% Nga katër kërkesa për rishqyrtim në MSh, vetëm OE Olti Trasing SH.P.K. ka bërë ankesë në OSHP. Pretendimi i OE ankues Olti Trasing SH.P.K. është jo relevant dhe përpjekje për ta kontestuar vendimin e MSh-së duke u bazuar në detaje teknike, meqë sipas kritereve të përcaktuara, oferta e tij me afat për kryerjen e punëve 600 ditë ka dalë e treta, ndërsa oferta fituese ka ofruar afatin më të shkurtër prej 180 ditësh (6 muaj).
Në Formularin e hartuar në platformën eProkurimi ka qenë e specifikuar Kryerja e punëve (min. 6 muaj – max. 24 muaj) dhe në të gjitha ofertat e këtij tenderi, Formularin e ofruar e kanë me këtë përshkrim Kryerja e punëve (min. 6 muaj – max. 24 muaj) – kjo mund të verifikohet lehtësisht, meqë ofertat janë në sistem. Afati për realizimin e punëve është aspekt shumë i rëndësishëm, meqë interesi i MSh-së është që sa më parë të rinovohet ky objekt, të cilin MSh me shumë mund ka arritur ta përvetësojë si pronë nga AKP.
Andaj, është shumë me rëndësi që sa më parë të arrihet vendosja e barnave të Listës Esenciale në hapësirat e akomoduara me standardet e kërkuara, meqë aktualisht depoja e improvizuar e MSh-së, në të cilën ruhen barnat dhe materiali shpenzues medicinal, gjendet në bodrumin e ish-garazhave të Rilindjes dhe është në gjendje jo të mirë, dhe si e tillë nuk i plotëson kushtet e duhura për ruajtjen e barnave dhe materialeve shpenzues medicinal.
P.S: Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj, ju informojmë se lënda është aktualisht e pezulluar pas ankesave të paraqitura në OSHP dhe ndodhet në proces shqyrtimi nga ana e këtij organi. Për këtë arsye, në këtë fazë nuk mund të ofrojmë më shumë informata, pasi mund të ketë ndikim në zhvillimin e mëtejshëm të procesit. Pas vendimit përfundimtar nga OSHP, do të jemi në gatishmëri për të ofruar përgjigje të plota dhe të detajuara për çdo pyetje që mund të keni”. Insajderi.org