Insajderi
Hulumtime/Analiza

“U dhanë për kompanitë më të shtrenjta”, dy tenderë të KEK-ut përfundojnë në OSHP, kompanitë ankohen për shkelje të ligjit dhe favorizim

Insajderi
05 November 2025 - 14:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“U dhanë për kompanitë më të shtrenjta”, dy tenderë të KEK-ut përfundojnë në OSHP, kompanitë ankohen për shkelje të ligjit dhe favorizim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Dy procedura të prokurimit të zhvilluara nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) janë dërguar për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas ankesave të operatorëve ekonomikë që pretendojnë parregullsi të dhe trajtim të pabarabartë.

Në OSHP, janë dorëzuar brenda 24 orëve tre ankesa ndaj Korporata Energjetike e Kosovës.

Dy ankesa janë dorëzuar për kontratën e njëjtë.

Tenderi për material izolues për motorë elektrikë dhe dyshimet për favorizim

Dy kompani kanë ofertuar për tenderin “Furnizimin me material izolues për motorë elektrikë”.

Kompania që u shpall fituese është “Liridona Kaçiu B.I.”, në vlerë prej afro 35 mijë eurosh.

Ndonëse një kompani tjetër kishte ofertuar me një çmim më të ulët, prej afro 10 mijë eurosh, e njëjta u eliminua për shkak të një dyshimi teknik mbi standardin e një materiali (IEC 641 në vend të IEC 6641).

Kjo kompani ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Tenderëve, duke pretenduar se është eliminuar në mënyrë të padrejtë.

Në ankesë thuhet se materiali i ofruar MYOFLEX PV, me standard amerikan UL 1446, plotëson kërkesat teknike, ndërsa komisioni i vlerësimit “nuk e ka vërejtur këtë detaj”.

“Na është bërë padrejt eliminimi. Kërkojmë që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në ankesë.

Operatori pretendon se autoriteti kontraktues ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë nenet mbi barazinë në trajtim, specifikimet teknike, dhe vlerësimin e ofertave.

Aty janë ngritur edhe dyshime se specifikat e hartuara favorizojnë një operator ekonomik duke diskriminuar kompanitë tjera.

“Autoriteti kontraktues nëse përpilon specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të mos jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe te mos sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit, e ne veçanti të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomik janë te pritshme demet ndaj biznesit tone dhe jemi te
detyruar te mos merrem me këtë fushe veprimtari”, thuhet aty.

Tenderi i dytë – furnizim me kushineta

Ankesa tjetër lidhet me tenderin për “Furnizim me kushineta”, të ndarë në tri lote.

Për këtë tender janë dorëzuar dy ankesa nga dy kompani të ndryshme.

Një operator u ankua se është eliminuar nga Lot 1, megjithëse kishte ofruar çmimin më të ulët dhe dokumentacionin e kërkuar.

KEK e ka arsyetuar eliminimin duke pretenduar se katalogu i kushinetave nuk është origjinal i prodhuesit, por i përgatitur posaçërisht për tenderin.

Operatori e ka kundërshtuar këtë, duke deklaruar se çertifikatat ISO 9001:2015 dhe CE janë valide dhe katalogu është zyrtar nga prodhuesi, të gjitha me vulë origjinale.

Në ankesë pretendohet se edhe kompania fituese “ELPROJEKT SHPK” ka ofruar çertifikata të pavlefshme CE, të cilat nuk lidhen me produktet e tenderit, por me pajisje të tjera (“3G Sensor for Railway Application” dhe “Condition Monitoring System”).

“Komisioni është mashtruar me këto dokumente. Oferta jonë ka qenë më e lirë dhe plotësisht e përgjegjshme”, thuhet në ankesë.

Në Lot 3, kompania ELSAM SHPK dyshohet se ka dorëzuar çertifikata të dyshimta ISO dhe CE, me QR-code që “nuk rezulton valid”, ndërsa në katalogun e ofruar mungojnë specifikimet për 74 nga 76 artikujt e kërkuar.

“Oferta jonë është oferta me çmim më të lirë nga ofertat e përgjegjshme për LOT 1 dhe LOT 2 ,prandaj është obligim i Autoritetit kontraktues që të zbatoj kriterin e dhënies së kontratës për këtë aktivitet të prokurimit dhe lenda të kthehet në rivlerësim dhe të na shpërblej me kontratë”, thuhet aty.

Të dy operatorët kanë kërkuar nga OSHP-ja që të kthejë lëndët në rivlerësim, duke theksuar se autoriteti kontraktues ka bërë vlerësime të padrejta dhe jashtë kritereve të dosjes së tenderit.

Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktoj edhe me KEK lidhur me dyshimet e ngritura por që nuk kanë kthyer përgjigje/ Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark