×
  • Sport
  • Sport

    U grumbullua për herë të parë me Kombëtaren, Alen Sherri rrëfen emocionet e stërvitjes me Stakoshan dhe Berishën

    Insajderi
    19 October 2023 - 14:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Alen Sherri ishte pjesë e kombëtares kuqezi për miqësoren ndaj Bullgarisë në “Arena Kombëtare”. Portieri i Egnatias u grumbullua në fund, duke qenë se Elhan Kastrati po kalonte një gjendje gripale.

    Një moment shumë emocionues për të, sepse fanella kuqezi, aq më tepër ajo e kombëtares së madhe, është ëndërr për cilindo futbollist.

    Ja rrëfimi i tij pas kësaj eksperience mbresëlënëse, e cila shpreson të përsëritet edhe në të ardhmen, ndërsa e obligon të punojë më shumë, duke bërë më së miri detyrat tek Egnatia.

    Alen, e prisnit që të grumbulloheshit nga Kombëtarja kuqezi?

    E kam shpresuar dhe pritur që të grumbullohesha me Kombëtaren, pasi jam informuar që para sfidës me Poloninë, një muaj më parë, që jam në listën e lojtarëve në pritje. Punoj çdo ditë që t’i marr maksimumin vetes dhe për të arritur sa më lart, pasi i njoh aftësitë që disponoj.

    Si ju pritën shokët e skuadrës?

    Aty është një ambient fantastik dhe natyrshëm më pritën mjaft mirë. U ndjeva i befasuar dhe krenar nga mbështetja që më ofruan futbollistët e Kombëtares sonë. Kam shumë miq aty dhe realisht u ndjeva komod në çdo moment. Një emocion i veçantë që u mundova ta shijoj pafund.

    Çfarë ju tha trajneri Silvinjo?

    Më priti shumë miqësisht, sikur kishim vite që njiheshim. Përveçse ka treguar që është trajner i shkëlqyer ishte edhe një njeri fantastik. Me tha që kishte shumë kohë që më monitoronte dhe më përgëzoi sa u takon performancave të mia. U ndjeva i vlerësuar teksa më theksoi faktin se ky është thjesht grumbullimi i parë me ekipin kombëtar. Më besoni për një moment m’u duk vetja sikur isha në ëndërr.

    Çfarë emocioni është të stërvitesh me Strakoshën dhe Berishën?

    Një privilegj i madh. Janë dy futbollistë që kanë luajtur dhe po luajnë në nivele të larta të futbollit europian. Në fakt, me Strakoshën jam stërvitur edhe te kombëtarja U-21. Me Tomasin kam një raport të shkëlqyer miqësor, pasi flasim shpesh. Më përgëzuan që u thirra tek ekipi kombëtar.

    Cili futbollist ju impresionoi më shumë tek ekipi kombëtar?

    Fakti që Kombëtarja është në vend të parë dhe po zhvillon ndeshje tejet pozitive tregon se ekipi ka kualitete. Më besoni, të gjithë futbollistët janë të shkëlqyer dhe japin maksimumin. Në skuadër ka frymë grupi, ku gjithkush ka rëndësinë e tij. Ekziston një atmosferë e jashtëzakonshme dhe për këtë meritë kanë stafi drejtues dhe të gjithë djemtë kuqezi.

    Egnatia po kryeson kampionatin, sa besoni te titulli kampion?

    Përtej klasifikimit, Egnatia është edhe ekipi që luan futbollin më të bukur të paktën në këtë fillimsezoni. Jemi duke udhëhequr me meritë dhe të gjithë faktorët këtu, përfshirë presidentin, stafin drejtues dhe futbollistët, punojnë çdo ditë për të arritur maksimumin. Ne do të mundohemi të kemi vazhdimësi me qëllim që së pari të jemi në “Final 4”, por pse jo të ruajmë edhe kreun, edhe pse jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, ne besojmë te vetja dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën për klubin.

    Përballeni me Tiranën, çfarë synoni nga ky duel delikat?

    Do të jetë një 90-minutësh delikat, pasi luajmë me një rival direkt për titull. Tirana ka kualitet, por edhe ne kemi treguar forcën tonë. Ekipi ynë është stërvitur mirë dhe kjo na motivon të tentojmë maksimumin. Duhet përkushtim maksimal, pasi kualitetet i kemi në gjirin e skuadrës.

    Cili është idhulli juaj?

    Portieri që më ka impresionuar gjithmonë është Manuel Nojer. Për mua është më i miri i historisë së futbollit. Ka personalitet dhe cilësi të jashtëzakonshme. E kam modelin ideal që dua të ndjek në karrierën time.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark