×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    U kap me thikë, gjykata merr vendim për kryetarin e Bashkësisë Islame të Medvegjës

    Insajderi
    15 October 2023 - 17:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për Fitim Sahitin, kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Medvegjë. I njëjti u arrestua dje bashkë me një serb të cilin e kishte bashkëudhëtar, ku policia Sahitit i gjeti një thikë ndërsa të dyshuarit tjetër substance narkotike.

    Insajderi merr vesh që Sahiti është ndaluar në paraburgim nën dyshimin për posedim të paligjshëm të armës së ftohtë.

    Për bashkëudhëtarin tjetër me nacionalitet serb, që u kap për posedim të substancave narkotike, po ashtu është marrë masa e caktimit të paraburgimit në kohëzgjatje një-mujore.

    Gazeta Insajderi raportoi dje për arrestimin e Fitim Sahitit nga Policia e Kosovës.

    Nën prangat e policisë ai ra dje në rrugën Prishtinë-Gjilan rreth orës 15:00.

    Udhëheqësi i KBI-së së Medvegjës, me vendim të prokurorit dërgua në mbajtje pasi në veturën e tij u gjet substancë narkotike dhe një thikë.

    Lidhur me këtë Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Florim Sahitin, vëllaun e të arrestuarit, ai tha se Fitim Sahiti u arrestua për armë të ftohta.

    “Fitim Sahiti është i Arrestuar në Republikën e Kosovës me akuze mbajtjeje e armeve të ftofta, është i arrestuar për 48H“, tha ai për Insajderin.

    Çfarë tha policia në raportin 24 orësh?

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së shtunës njoftoi se janë arrestuar dy qytetarë, një serb dhe një shqiptar.

    Policia ka ndaluar veturën me të cilën ishin duke qarkulluar të dyshuarit, ku gjeti 5.7 gramë marihuanë dhe një thikë.

    “Rr. Prishtinë-Gjilan 13.10.2023-15:00. Janë arrestuar dy të dyshuar shtetas të Serbisë (njëri shqiptar dhe tjetri serb) pasi janë ndaluar me veturën me të cilën ishin duke qarkulluar dhe gjatë kontrollit te të njëjtit, njësitet policore kanë gjetur e konfiskuar substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, në peshë 5.7 gramë dhe një mjet të mprehtë-thikë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, njoftoj policia në raportin 24 orësh.

    Në një lajm të publikuar më 2016-ën, thuhej se Sahiti ishte zgjedhur kryetar i Bashkësisë Islame me 5 vite mandat. Insajderi ka pyetur vëllain e tij nëse i njëjti akoma ushtron atë detyrë dhe ai ka konfirmuar se ai akoma është kryetar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark