Insajderi
Lajme

U nis me automatik për të vrarë katër personat që ia rrahën nipin, arrestohet 47-vjeçari

Insajderi
29 August 2026 - 13:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
U nis me automatik për të vrarë katër personat që ia rrahën nipin, arrestohet 47-vjeçari
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një ngjarje kriminale është parandaluar këtë të shtunë nga forcat e policisë, ku një 47-vjeçar i armatosur ka shkuar drejt një hoteli në zonën e Malit të Robit, Golem, për të vrarë katër persona, pasi këta të fundit kanë rrahur nipin e tij 18-vjeç, i cili punonte kamarier.

Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë M. N., 47 vjeç, i cili gjatë kontrollit në Kavajë, në makinë janë gjetur armë zjarri automatike, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.

Po ashtu është arrestuar djali i pronarit të hotelit.

“Arrestohet djali i pronarit të hotelit dhe një shok i tij, shpallet në kërkim djali tjetër i pronarit, ndërsa procedohet në gjendje të lirë dhëndëri i pronarit, të cilët kishin dhunuar 18-vjeçarin, (kamerier në lokalin e hotelit dhe nipi i 47-vjeçarit) Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Stacionit të Policisë Golem, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në një hotel në zonën e Malit të Robit, Golem, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi F. H., së bashku me shtetasit A. F., E. D. dhe M. M., kanë dhunuar shtetasin G. N., 18 vjeç, kamerier në lokalin e hotelit, për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer. 18-vjeçari ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve. Gjatë kryerjes së veprimeve, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, shtetasi M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë, i armatosur me armë zjarri, ishte nisur drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar në afërsi të hotelit automjetin që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë“.

Po nga veprimet hetimore rezultoi se vendngjarja ishte pastruar, DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç, banues në Kavajë; u shpall në kërkim shtetasi A. F., 36 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. M., 36 vjeç, banues në Kavajë.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark