Insajderi
Lajme

U shtuan vota për kandidatë të caktuar – Prokuroria paralajmëron arrestime të mundshme pas hetimeve në Shtime e Ferizaj

Insajderi
06 February 2026 - 16:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
U shtuan vota për kandidatë të caktuar – Prokuroria paralajmëron arrestime të mundshme pas hetimeve në Shtime e Ferizaj
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

 Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar publikun se më 22.01.2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës, në komunat të cilat janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe pas mbajtjes së takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës, si dhe pas raportit të pranuar nga ana e tyre, për komunat nën kompetencë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë si në vijim:

Në komunën e Ferizajt –në bazë të raporteve të pranuara, e cila përfshin 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët, konkretisht prej 153 vendvotimeve- vetëm një (1) kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash, ndërsa, për kandidatët e tjetër rezulton nga një (1) deri në tre (3) vota.

Në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.

Tek komuna e Shtimes, janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimeve dhe ka rezultuar me një përqindje pak më të lartë, ku rezulton një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë prej dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota.

Në lidhje me këto manpulime, është autorizuar Policia e Kosovës që të intervistohen kryesuesit e qendrave të numërimit për komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.

Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime tjera hetimore shtesë. 

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, mbetet e angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark