Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë në emisionin Zgjedhjet në Kohë se në programin e tyre për arsim kanë paraparë që të largohet pagesa e çerdheve për familjet që kanë kushte të vështira ekonomike.
Ai tutje ka shtuar se një masë tjetër është paraparë të merret në arsimin fillor.
“Në radhë të parë ne mendojmë që për një kohë të gjatë shkollimi fillorë është dhënë rëndësi e jashtëzakonshme notimit, prandaj kemi propozuar që të largojmë sistemin e vlerësimit me nota, nga klasa e parë deri në klasën e katërt”, ka thënë ai.
Uka tutje ka premtuar se gjatë mandatit të tyre 4-vjeçar do të ndërtojnë 160 çerdhe të reja të cilat do të ndërtohen, duke shtuar se kjo reformë do të fillojë që nga viti i ardhshëm.
“Ne e kuptojmë që ka një limitim buxheti, e kemi trashëguar një buxhet të caktuar mirëpo këto çerdhe do ta rrisin ndjeshëm përfshirjen e fëmijë në edukimin e hershëm. Ne jemi për arsim të lartë pa pagesë dhe kjo nuk është diçka e re në programin tonë”, ka thënë tutje ai.