×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ‘Unë po iki Kosovë’, infermierja lë vendin pas ‘dallavereve’ që ju bënë në konkurs për punësim në Gjilan

    Insajderi
    17 December 2022 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Infermierja e diplomuar kosovare, Liri Salihu, kishte konkurruar për një konkurs për infermiere në Spitalin e Gjilanit, mirëpo e njëjta ishte radhitur e teta, duke mos u pranuar.

    Rreth kësaj Salihu ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se nuk qenka e mjaftueshme shkollimi për të cilën ajo kishte kaluar disa vite, duke arritur që me suksese të përfundoj edhe nivelin master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në drejtimin e Infermieri.

    Duke e shprehur mllefin e saj rreth kësaj, ajo ka thënë se gjatë intervistës së saj në konkurs, kryesues ishte një person i nivelit Bachelor Ekonomik, dhe sipas saj të cilën e ka kryer në Kolegjin Privat.

    Unë po iki Kosovë , nuk po të duhem ty! Nuk qenka mjaftueshëm niveli im i shkollimit, puna dhe djersa ime për ty Kosovë. Nuk qenka mjaftueshëm nota ime (5.0) në shkollën e mesme të mjekësisë. Nuk qenka mjaftueshëm diplomimi im Bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina ” me notë mesatare (9.34). Nuk qenka mjaftueshëm studimet në nivelin Master po ashtu në Universitetin e Prishtinës me notë mesatare (9.54). Nuk qenka mjaftueshëm se gjatë gjithë studimeve kam qenë bursiste si studente e dalluar. Nuk qenka mjaftueshëm njohja e gjuhëve të huaja deri në nivel B1. Nuk qenka e mjaftueshëm edhe përvoja ime si infermiere me doktorët më të mirë në rajon dhe më gjerë. Kosovë , nuk paska qenë i mjaftueshëm vlerësimi i profesorëve në Universitetin e Prishtinës e për ironi në konkurse sikur këto në Spitalin e Gjilanit unë përpara duhet ta kem një kryesuese të komisionit me nivel Bachelor Ekonomik në Kolegj privat e cila shumë mirë “ka ditur të bëjë kalkulimet” gjatë “vlerësimit” në intervistë!”, ka shkruar ajo.

    Tutje Salihu ka thënë se kurrë nuk do të bëhet pjesë e pazareve dhe vegël e askujt për një vend pune, por padrejtësinë do ta luftoj dhe kundërshtojë.

    “Kosovë , unë kurrë nuk do të bëhem pjesë e pazareve dhe vegël e askujt për një vend pune por padrejtësinë do ta luftoj dhe kundërshtojë. Kosovë , unë pata edhe një shpresë për të qëndruar në vendlindjen time , të jap kontributin dhe dijen time që kam marrë nga instucionet arsimore tua. Por këtë mundësi që nuk e pata unë shpresoj që në të ardhmen do ta kenë familja, kolegët e mi dhe e gjithë shoqëria e këtij vendi. Kosovë, unë po nënshkruaj për të len ty sepse ma shujtën edhe shpresën e fundit. Kosovë, mua po më pret Evropa por unë të prita ty! Lamtumirë Kosovë!”, ka përfunduar ajo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark