×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Unioni Evropian i jep Athinës 700 milionë euro për refugjatët

    Insajderi
    02 March 2016 - 19:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Evropa përgatit një plan të tillë ndërhyrjeje urgjente për të shmangur një tragjedi të vërtetë humanitare në territorin evropian, përkatësisht në Greqi.

    Plani do të miratohet nga Komisioni Evropian me firmën e presidentit Jean-Claude Juncker dhe përgjegjësit për ndihmën humanitare, qipriotit Christos Stylianidis.

    Plani parashikon shtatëqind milionë euro në tre vjet në favor të vendeve që gjenden në emergjencë për shkak të krizës së refugjatëve. Teksti i planit të ndihmës nuk citon në mënyrë specifike Greqinë por është e qartë se pjesa më e madhe e parave do të drejtohen pikërisht në Athinë.

    Për më tepër që në tekstin e marrëveshjes thuhet shprehimisht se ndihmat janë të destinuara për vendet që tashmë po përballen me një krizë të rëndë ekonomike që mund të përkeqësohet për shkak të fluksit të refugjatëve.

    Vetëm një pjesë e fondeve do të shkojë drejtpërdrejt për qeverinë “Tsipras” për të financuar programe të veçanta mbështetjeje, ndërsa fondet më të mëdha do të jepen për OKB dhe organizata të tjera joqeveritare të pranishme në territorin grek e që po ndihmojnë në menaxhimin e krizës.

    refugji
    Refugjatët qëndrojnë në radhë për të marrë ushqim, në afërsi të fshatit grek Idomeni të martën.

    Nevoja e një plani ndihme për Greqinë ishte sjellë në vëmendje nga krerët e shteteve dhe qeverive gjatë samitit evropian të 19 Shkurtit në Bruksel.

    Komisioni u vu në lëvizje me shpejtësi dhe tashmë miraton planin.

    Nga Janari 2015 kanë mbërritur më shumë se 1.1 milionë azilkërkues në territorin evropian. Greqia është shndërruar në një qendër të vërtetë emigrantësh të cilët për muaj kanë kaluar Egjeun duke u nisur nga Turqia, kanë zbarkuar në ishujt grekë dhe sapo kanë dalë të mbërrjnë në pjesën kontinentale të Greqisë kanë nisur udhëtimin në rrugën ballkanike, drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.

    Por më pas, kufizimet e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, kontrollet, pengesat, zbatimi i kuotave të pranimit nga disa vende e në fund edhe mbyllja e kufirit nga Maqedonia, kanë bërë që refugjatët të mbeten të bllokuar në Greqi.

    refugji2
    Më shumë se 1.000 emigrantë dhe refugjatë mbërritën në një zonë të mbipopulluar me refugjatë në qytetin e Pireut të martën.

    Kjo ka bërë që në vend të grumbullohet një numër i lartë refugjatësh, ndërkohë që vetëm gjatë dy muajve të këtij viti në vend kanë mbërritur 111 mijë persona.

    Me një situatë që duket qartë se do të shkojë drejt përkeqësimit, Greqia është përfolur se mund të nxirret fare jashtë zonës Shengen.

    Për këtë arsye, Brukseli është i detyruar të përballet për herë të parë në historinë e vet me një situatë me pasoja humanitare katastrofike në brendësi të territorit të vet.

    Detyra është më e vështirë pasi dihet se Evropa nuk e ka një instrument të përshtatshëm për t’iu përgjigjur situatës. Për këtë arsye, Brukseli pritet të ngrejë një mekanizëm të ri evropian për menaxhimin e  krizës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark