×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ushqimi në Neonatologji po vijon të mos jetë cilësor, rrëfehet nëna lehonë: “Makaronat, përshesh i bardhë”

    Insajderi
    18 September 2022 - 15:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ushqimi që po servohet për lehonat në Klinikën e Neonatologjisë po vazhdon të mos jetë cilësor. Cila është menyja javore e dietës standarde në KN dhe çfarë përmbajnë në të vërtetë shujtat? Për Insajderin përveç nutricistes dhe dietologes, Ajshe Ibrahimi, për përvojën me ushqimin Neonatologji është rrëfyer edhe një nënë lehonë.

    Gazeta Insajderi

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me shefin e sektorit të Ushqimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Fisnik Dobra, i cili ka dërguar menynë e plotë që shërbehet për nënat lehona në Klinikën e Neonatologjisë.

    Sipas menysë javore, në Neonatologji shërbehen ushqime mjaft cilësore, të pasura me vitamina, por a po servohet në të vërtetë kjo meny?

    Menyja e plotë si vijon:

    E hënë: Mëngjesi/ qumësht, vezë e zier, kaçkavall – 50g , supë, bukë
    Dreka/ Supë, patate me bishtaja me mish viçi – 100g, desert (kek, puding, jogurt pemë ose pemë sezonale)
    Darka/ Perime me mish pule – 100g, bukë, kompot


    E martë: Mëngjesi/ Çaj, 1 vezë, gjizë – 50g, supë, bukë
    Dreka/ Supë, perime, makarona, sallatë, desert ose pemë sezonale, bukë
    Darka/ 1 vezë e zier, djath 50g, kos – 200ml, kompot, bukë

    E mërkure: Mëngjesi/ Qumësht, xhem ose mjaltë 50g, gjalpë – 20g, supë, bukë
    Dreka/ Supë, pire me patate me gullash (mish viçi) 100g, desert ose pemë sezonale, sallatë, bukë
    Darka/ Makarona me djath, qumësht, vezë, kompot, bukë

    E enjte: Mëngjesi/ Çaj, djath 50g, 1 vezë e zier, supë, bukë
    Dreka/ Supë, oriz me bizele, mish pule (kofshë pule) ose peshk 140g, sallatë, desert ose pemë sezonale, bukë
    Darka/ Patate me perime dhe mish viç – 100g, kompot, bukë

    E premte: Mëngjesi/ Qumësht, gjizë – 50g ose djath – 50g, 1 domate mesatare,1 tranguj
    mesatarë, bukë
    Dreka/ Supë, oriz me perime dhe mishë pule ( gjokës pule ) – 100g, desert ose
    pemë sezonale, sallatë, bukë
    Darka/ 1 vezë e zier, kaçkavall – 50gr, jogurt, bukë

    Menyja që shërbehet për nënat lehona

    Megjithëse u tha se në Neonatologji shërbehen ushqime si supë, desert, gjizë e perime, nuk po del të jetë ashtu.

    Një nënë lehonë me inicialet Q.S, emër i njohur për redaksinë, ka treguar gjendjen e tmerrshme të ushqimin që servohet në Neonatologji dhe Patologji.

    Q.S, kishte pasur komplikime me shtatzëninë dhe i është dashur të qëndrojë një muaj në repartin e Patologjisë, për të kaluar pastaj në Neonatologji.

    Ajo bëri të ditur se ushqimi që ishte shërbyer përveç fasuleve kishte qenë i pakonsumueshëm,

    “Ushqimi i vetëm që kam konsumu brenda një muaji në repartin e Patologjisë ka qenë pasuli, si pasul, të tjerat kanë qenë tmerr. Ndoshta ndonjëherë ka pasur ndonjë makaron ose shpagetë të themi, se me një fjalë kanë qenë “përshesh i bardhë”. Shtatzane dhe me u ushqy me qato ushqime, beso që është vështirë me mbajt vetën në këmbë”– tha Q.S (emër i njohur për redaksinë).

    Ajo shtoi se për desert nuk janë shërbyer pemë, vetëm jogurt – ashtu siç edhe shkruhet në meny, është shërbyer një herë në javë.

    “Puna desertit ka qenë kështu, kuzhinierja na thirrke për bukë, por kur refuzojshim thoshte se ka jogurt. Jogurti ka qenë deserti i vetëm që e kanë sjellë dhe atë një herë në javë ndoshta.

    Derisa, shtoi se supa, gjiza, perimet, specifikisht domatet nuk janë shërbyer kurrë.

    “Gjiza nuk ka ekzistu aty kurrë, supë në mëngjes nuk ka pasur kurrë edhe domate nuk ka pasur kurrë. Kanë sjellë, çaj, ve dhe djath. Disa ditë ka pasë 1 lugë çaji aerokrem cipiripi edhe 3-4 rriska buke”- përfundoi ajo.

    Nutricistja dhe dietologia, Ajshe Ibrahimi për Gazetën Insajderi ka treguar për rolin e të ushqyerit për gratë pas lindjes.

    Gjatë lindjes, nëna harxhon shumë energji. Pas lindjes humbet shumë gjak, nutrientët ushqyese do të mobilizohen për të prodhuar kolostrum. Prandaj, gjatë kësaj kohe, një dietë e drejte dhe e shëndetshme është jashtëzakonisht e rëndësishme për shëndetin e nënës dhe foshnjës, në mënyrë që nëna të shërohet shpejt dhe të ketë qumësht të mjaftueshëm për të ushqyer me gji.

    Piramida e të ushqyerit për gratë pas lindjes dhe laktacionit është një dietë e arsyeshme për të siguruar një gamë të plotë të lëndëve ushqyese të nevojshme. Përveç ushqimit, nënat duhet të balancojnë punën dhe pushimin e arsyeshëm, të merren me aktivitete fizike si ecje në ajër të pastër për 20-30 minuta çdo ditë ose të paktën 3 herë në javë ose te bëni ushtrime-yoga dhe të kujdesën për menaxhimin e stresit.

    Këshilla për të ushqyerit e shëndetshëm

    Në muajt pas lindjes, shumica e nënave të reja kanë nevojë për 1800 deri në 2200 kalori çdo ditë. Hani një shumëllojshmëri ushqimesh të ndara ne tri vakte kryesore dhe dy mesvakte. Mundohuni të hani një dietë të ekuilibruar me fruta, perime, drithëra, ushqime proteinike, karbohidrate dhe fibra.

    Qëndroni të hidratuar. Synoni për 6-10 gota ujë çdo ditë, pavarësisht nëse jeni duke ushqyer me gji apo jo. Ju gjithashtu mund të pini qumësht dhe lëng frutash te freskëta.

    Hani ushqime që përmbajnë proteina si qumështi, djathi, kosi, mishi, peshku dhe fasulet. Hani frutat dhe perimet te freskëta, mundohuni të bëni gjysmën e pjatës suaj fruta dhe perime.

    Frutat dhe perimet kanë vitamina dhe minerale që ju mbajnë të shëndetshëm. Ato gjithashtu kanë fibra, të cilat ndihmojnë në parandalimin e kapsllëkut.

    Kalcium: Do t’iu nevojiten 1000 miligramë – rreth 3 racione bulmeti me pak yndyrë – çdo çdo ditë. Gjithashtu kalciumin mund ta gjeni dhe ne ushqime si: perimet me gjethe jeshile, farat e susamit, fik, bajame, farat kia, rrepe, fasule etj.

    Hekuri: Konsumimi i nutrientëve ushqyese të pasura me hekur ndihmon trupin tuaj të krijojë qeliza të reja gjaku, gjë që është veçanërisht e rëndësishme nëse keni humbur shumë gjak gjatë lindjes.

    Ushqimet që duhen shmangur

    Ka disa ushqime dhe substanca të tjera që mund të jenë të dëmshme si për ju ashtu edhe për fëmijën tuaj nëse jeni duke ushqyer me gji.

    Përpiquni të kufizoni ushqimet dhe pijet e paketuara, ushqimet e përpunuara dhe ato me përmbajtje të lartë të kripës, yndyra të ngopura dhe sheqerna shtesë.

    Alkooli: Konsumimi i pijeve te cilat përmbajnë alkool kalojnë tek fëmija juaj përmes qumështit të gjirit dhe mund të dëmtojë trurin dhe zhvillimin e trupit të fëmijës suaj.

    Kafeina: Kafeina është një stimulues që kalon përmes qumështit të gjirit tek fëmija dhe mund të ndikojë në pengimin e zhvillimit te fëmijës suaj. Kafeina gjendet në çaj, kafe, çokollatë, shumë pije joalkoolike dhe ilaçe pa recetë.

    Peshku shpatë, peshkaqeni, skubri: Këta lloje te peshkut kanë nivele të larta të një toksine të quajtur merkur që llogaritet mjaft i dëmshëm për trurin e foshnjës tuaj.

    Kufizoni ushqimet e padëshiruara si pijet e gazuara, biskotat, patatinat, ushqimet fast food- ndonjëherë janë në rregull, por mos i lini të zënë vendin e ushqimeve të shëndetshme!

    /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark