
Alpinistja e njohur nga Kosova, Uta Ibrahimi, ka hyrë në historinë e alpinizmit botëror duke u bërë gruaja e parë shqiptare dhe e para nga Ballkani që ka ngjitur të gjitha 14 majat më të larta në botë, të njohura si “tetëmijëshat”, shkruan Insajderi.
Suksesi historik u kurorëzua më 10 maj 2025, kur Uta arriti në majën e Kangchenjunga (8,586 metra), e treta më e lartë në botë. Kjo ngjitje përmbylli projektin e saj shumëvjeçar “Utalaya 14×8000”.
Rrugëtimi i saj në alpinizëm filloi në vitin 2017, kur bëri bujë si gruaja e parë shqiptare që ngjiti Everestin (8,848 metra), majën më të lartë të globit. Që nga ajo kohë, Uta nuk u ndal më.
Gjatë tetë viteve të fundit, ajo ngjiti disa prej majave më të rrezikshme dhe sfiduese të Himalajeve dhe Karakoramit, përfshirë K2, Annapurna, Nanga Parbat, Lhotse, Broad Peak dhe shumë të tjera.