Trainkosi përfundoi duke i dërguar në Serbi për riparim vagonët e trenave kosovarë. Opsione për riparimin e tyre kishte edhe në shtete të tjera të rajonit. Por, pse pikërisht në Serbi? A duhej të miratonte ministrja Artana Rizvanolli këtë veprim të kompanisë private? Çfarë parashikon Ligji për Prokurimin Publik? Gazeta Insajderi sjell prapaskenat e këtij tenderi.
Gazeta Insajderi
Ndërmarrja publike e trenave “Trainkos” ia kishte dhënë tenderin kompanisë me seli në Prishtinë, “Profitech” SH.P.K., për riparimin e pesë vagonëve, të cilët kishin defekte kryesisht në dyer dhe dritare.
Sipas kontratës së lidhur më 2 maj 2024, me vlerë prej 423 mijë e 100.02 eurosh, objekti i kontratës ishte “riparimi i mesëm i 5 vagonëve të udhëtarëve”.
Riparimi i këtyre vagonëve u finalizua në dhjetor të vitit 2024, rreth 10 muaj pasi kompania fituese kishte dërguar vagonët për riparim në Zrenjanin të Serbisë, tek një kompani serbe.
Sipas kompanisë kosovare “Profitech”, vetëm kompania serbe kishte mundësi t’i kryente riparimet përkatëse. Ndërkohë, në kontratën e publikuar në e-Prokurim, objekti i tenderit përshkruhet si “riparimi i mesëm i vagonëve të transportit të udhëtarëve”, ndërsa nuk specifikohet se punimet do të kryheshin nga një nënkontraktor në Serbi.
Por, pas një hulumtimi që Gazeta Insajderi ka realizuar, del se riparime të ngjashme mund të kryheshin edhe në disa shtete të tjera të rajonit, përfshirë Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Kroacinë dhe Sllovakinë.
Këto janë kompanitë e vendeve të tjera që, sipas kapaciteteve të tyre të publikuara, mund të kryejnë riparimin apo mirëmbajtjen e vagonëve:

Tentimi i dobët i ministres Rizvanolli për ta “fshehur” të vërtetën
Lidhur me këtë tematikë, mbrëmë bëri një reagim shefja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo tha se ministria nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë në përzgjedhjen e kompanisë nënkontraktuese nga operatori që kishte fituar tenderin.
Rizvanolli tha se Trainkosi kishte zhvilluar një tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve, në të cilin kishte aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë, e cila edhe e kishte fituar tenderin. Sipas saj, përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e kishte bërë Trainkosi.
“Operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët”, ka deklaruar Rizvanolli.
Megjithatë, deklarimi i ministres ngre pikëpyetje të tjera: a ishte e informuar Ministria e Ekonomisë për dërgimin e vagonëve në Serbi dhe nëse po, në çfarë forme? Po ashtu, a ishte i paraparë në dokumentet e tenderit angazhimi i një pale të tretë për kryerjen e tërësishme të punimeve?
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, angazhimi i nënkontraktorëve dhe mënyra e deklarimit të tyre gjatë procedurës së prokurimit janë çështje që duhet të jenë të përcaktuara dhe të rregulluara në kuadër të procedurës dhe kontratës.

Në rastin konkret, Gazeta Insajderi ka parë dosjen e tenderit dhe kontratën e lidhur mes Trainkos-it dhe “Profitech” SH.P.K. Në asnjë pjesë të kontratës së publikuar nuk është specifikuar se kompania fituese do të nënkontraktonte një palë të tretë për kryerjen e punimeve, e aq më pak se vagonët do të dërgoheshin për riparim në Serbi.
Kontrata, përcakton si objekt “riparimin e mesëm të 5 vagonëve të udhëtarëve”, me vlerë totale prej 423,100.02 eurosh.
Kjo mënyrë e përfundimit të riparimit të vagonëve ngre pikëpyetje për mënyrën se si është realizuar kontrata, për përzgjedhjen e nënkontraktorit dhe për mbikëqyrjen e procesit nga institucionet përgjegjëse.
Në një reagim publik, “Trainkos” ia ka lënë përgjegjësinë kompanisë fituese për përzgjedhjen e kompanisë serbe për riparimin e vagonëve.
“Kompania fituese është përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve, dhe sipas Ligjit të Prokurimit Publik, ndërmarrja nuk ka mekanizëm juridik ta përcaktojë, apo në ndonjë mënyrë të ndikojë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve”, thuhet në reagimin e Trainkos-it.
Por, në të njëjtin reagim, Trainkosi ka bërë të ditur se, pas raportimeve mediale, e ka kontaktuar kompaninë “Profitech” për të marrë sqarime se pse vagonët janë dërguar në Zrenjanin, nëse është dashur ndonjë leje për këtë veprim dhe nëse dërgimi i tyre në Serbi mund të ishte shmangur.

Sipas përgjigjeve që Trainkosi thotë se i ka marrë nga “Profitech”, vagonët janë dërguar në Zrenjanin pasi, sipas kompanisë, “vetëm ata mund t’i rregullojnë këta vagonë”. Për dërgimin e tyre, kompania ka thënë se e ka njoftuar doganën paraprakisht dhe se vagonët kanë kaluar përmes Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë. Po ashtu, kompania ka deklaruar se nuk ka pasur mundësi që riparimi të kryhej në ndonjë vend tjetër.
Historiku i vagonëve
Në vitin 2017, vagonët në fjalë ishin blerë nga Gjermania dhe, po atë vit, ishin riparuar në Zrenjanin. Sipas Trainkos-it, asokohe komisioni i ndërmarrjes kishte vizituar punishten në Zrenjanin për të bërë pranimin teknik të vagonëve.
Megjithatë, fakti se vagonët ishin riparuar në Zrenjanin edhe në vitin 2017 nuk i përgjigjet pyetjes nëse në vitin 2024 ekzistonin alternativa të tjera për riparimin e tyre dhe nëse këto alternativa ishin shqyrtuar para se të dërgoheshin përsëri në Serbi.
Për më tepër, “Profitech” është kompani që ka marrë një numër kontratash nga institucione publike në Kosovë. Sipas të dhënave publike të prokurimit, kompania është futur edhe në listën e zezë nga Gjykata e Tenderëve në lidhje me një tender të vitit 2023.
Hulumtimi i Insajderit:
Në të dhënat publike të prokurimit, si pronarë të kompanisë figurojnë Petrit Doli, Edon Asllani, Burim Vrajolli dhe Erblin Asllani, raporton Gazeta Insajderi.
“Profitech” paraqitet si kompani që vepron kryesisht në fushën e tregtisë me shumicë të makinerive dhe pajisjeve.
Ndërkohë, aktivitetet e regjistruara të kompanisë, sipas të dhënave në ARBK, përfshijnë edhe tregtinë e automjeteve, veglave të makinerive, pajisjeve kompjuterike, punimeve hidraulike dhe instalimeve të ngrohjes e klimatizimit, si dhe riparimin e produkteve metalike.
Kompania ka publikuar edhe në sajtin e tyre fotografi të vagonëve para dhe pas riparimit:

Nga “Profitech” nuk kemi arritur të marrim përgjigje për pyetjet e Gazetës Insajderi, ndonëse gazeta gjatë ditës ka tentuar disa herë të kontaktojë kompaninë./Gazeta Insajderi/