×
  • Lajme
  • Insajderi

    Vazhdojnë emërimet familjare në qeverinë Kurti, motra e deputetit të VV-së emërohet në Bordin e Teatrit Kombëtar

    Insajderi
    08 May 2021 - 13:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka emëruar dje anëtarët e Bordit të Teatrit Kombëtar.

    Shkurte Aliu, njëra nga të emëruarat në këtë bord është motra e deputetit të Vetëvendosjes Luan Aliu, shkruan Gazeta Insajderi

    Aliu është aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e vitit 2017 ishte edhe kandidate për deputete nga kjo parti.

    Ndonëse, në bord janë emëruar edhe tre përkrahës të tjerë të Vetëvendosjes,Visare Aliu, Ben Apolloni dhe Armend Smajli.

    Nëpër postimet e tyre në Facebook, këta anëtar të bordit kishin mbështetur publikisht partin në pushtete të Kurtit, dhe si duket mundi i tyre është shpërblyer.

    Kryeministri Albin Kurti para se të vinte në pushtet kishte deklaruar se në qeverisjen e tij nuk do të bëheshin punësime familjare nëpër ministri.

    Sipas Kurtit, familjarët janë vetëm për dasma dhe ndeja private, dhe jo për punësim në ministri

    “Nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Albin Kurti në njërin nga tubimet e tij elektorale, teksa ishte kandidat për Kryeministër, shkruan Gazeta Insajderi.

    Përveç, Aliut pozitat politike në qeverinë Kurti janë mbushur me emërime të të afërmve të funksionarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës, është emëruar si këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka emëruar për këshilltar të tij politik, Sami Ukën. Ky i fundit është vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka.

    Sami Uka është kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Ai edhe gjatë vitit të kaluar kur Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte këshilltar politik i tij.

     Dafina Gexha-Bunjaku është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë.

    Gexha-Bunjaku, e cila prej vitesh punon në Institutin e Shëndetësisë Publike, është bashkëshortja e Fatban Bunjakut, një funksionari të Lëvizjes Vetëvendosje. Bunjaku ka mbajtur disa funksione brenda LVV-së së Albin Kurtit. Aktualisht shërben si sekretar i një nënkomiteti të partisë. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark