Vdekja e shoferit në vendin e punës, Prokuroria ia mbyll rastin multimilionerit kontraktor të Qeverisë Kurti - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Vdekja e shoferit në vendin e punës, Prokuroria ia mbyll rastin multimilionerit kontraktor të Qeverisë Kurti

    Insajderi
    14 April 2025 - 13:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka vendosur përfundimisht që t’i mbyllë hetimet lidhur me vdekjen e shoferit Rizah Hasani, tashmë të ndjerit që humbi jetën teksa po barte material ndërtimor si i angazhuar për kompaninë “Bageri” në pronësi të multimilionerit nga Ferizaj, Bujar Shabani. Në arsyetimin e Prokurorisë drejtuar Gjykatës Themelore të Ferizajt thuhet se aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia e shoferit, duke rënë ndesh me atë që familjarët thanë gjatë gjithë kohës. Familja Hasani insistonin se familjari i tyre i ndjerë po ngiste me sasi të mbingarkuar të asfaltit në kamionin që ia solli vdekjen.

    Gazeta Insajderi ka parë aktvendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj multimilionerit Shabani, të nxjerrë para më shumë se dhjetë ditësh. Në aktvendim shfajësohen Bujar Shabani dhe i biri i tij, Leutrim Shabani.

    Aktvendimi i referohet një super-ekspertize të datës 30 shtator të vitit të kaluar mbi ekzaminimin e gjendjes teknike të kamionit të aksidentuar, që ia mori jetën Rizah Hasanit. Super-ekspertiza pretendon se kamioni ka qenë në gjendje të rregullt dhe se nuk ka qenë shkas për aksidentin.

    Aktvendimi i referohet një super-ekspertize të datës 30 shtator të vitit të kaluar mbi ekzaminimin e gjendjes teknike të kamionit të aksidentuar, që ia mori jetën Rizah Hasanit. Super-ekspertiza pretendon se kamioni ka qenë në gjendje të rregullt dhe se nuk ka qenë shkas për aksidentin.

    Manovrimi i pasigurt i ngasësit të kamionit duke lëvizur në cepin e djathtë të rrugës së shtruar me zhavorr, me qëllimin për kthim në të majtë, ka shkaktuar fillimisht anim të kamionit djathtas duke vazhduar rrokullisjen për këndin prej rreth 110 shkallë dhe rrëshqitjen “skarpatës” teposhtë me gjatësi prej 60,4 m.

    Po ashtu grupi i ekspertëve ka konstatuar se ngarkesa, respektivisht masa e asfaltit e ngarkuar në kamion (15.950 ton), ka qenë më e vogël se masa e lejuar që mund të bart arka vetëshkarkuese e kamionit (18,400 ton), respektivisht 15950 kg < 18400 (është më e vogël për 2450 kg), prandaj, materiali i ngarkuar nuk ka qenë faktor ndikues në përkeqësimin e gjendjes teknike të kamionit”, thuhet në super-ekspertizën që i referohet Prokuroria për pushim hetimesh.

    Njësoj sikurse super-ekspertiza konstaton edhe një ekspert i komunikacionit, sipas të cilit shkaktar kryesor ka qenë “pakujdesia e shoferit”.

    Policia dhe Prokuroria e Ferizajt që nga fillimi e ka trajtuar rastin si “vetaksident“.

    Prokuror i kësaj çështje ka qenë prokurori Ardian Emini.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Prokurorinë Themelore të Ferizajt që nga gjysma e marsit për ta ditur fazën e hetimeve të rastit ku ngeli i vdekur shoferi Rizah Hasani, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm që prej atëherë.

    Insajderi po ashtu ka provuar të marrë një koment nga firma e Bujar Shabanit, por të njëjtit s’janë përgjigjur lidhur me rastin.

    Isuf Zejna, avokati i familjes ka paralajmëruar që do ta bëjë ankesë kundër vendimit në Prokurorinë e Apelit.

    LEXO EDHE:

    Kenan Gashi, drejtori ekzekutiv i AVONET, një javë më parë ka publikuar gjendjen e mjerueshme të rrugës në Jezerc të Ferizajt, rrugë kjo ku humbi jetën Rizah Hasani, shoferi i firmës “Bageri” të multimilionerit Bujar Shabani.

    Kjo është fytyra e drejtësisë sonë, kur përballë milionave, jeta e një punëtori trajtohet si një statistikë pa zë“, kishte thënë ndër të tjera ai.

    Çka thanë familjarët e shoferit për rastin?

    Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, në një intervistë për Insajderin kishte thënë se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.

    Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin kishte ngritur dyshime të mëtutjeshme, teksa kishte shtuar se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.

    Pos tjerash, ai ishte ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç deklaronte ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.

    I njëjti ka bërë të ditur edhe se biznesmeni Bujar Shabani i kishte kërkuar që t’ia kryente shërbimet e varrimit Rizah Hasanit, mirëpo që vëllai i tij, Valoni, s’kishte pranuar.

    Inspektorati Qendror i Punës e kishte gjetur fajtor kompaninë “Bageri” për rastin e vdekjes së kamionistit Hasani. Biznesmeni Shabani ishte gjobitur me 8 mijë e 500 për mos-zbatim të disa dispozitave ligjore.

    vendimin që e kishte siguruar Insajderi Inspektorati ka gjetur pesë shkelje që janë kryer nga kompania e multimilionerit, për secilën shkelje është shqiptuar gjobë e veçantë.

    Në mesin e pesë shkeljeve ishin pesë dispozita nga Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë.

    Rizah Hasani vdiq në korrik të vitit që shkoi. Ai, nga pamjet që siguroi Insajderi shihet se ka humbur drejtimin dhe ka dalë jashtë rrugës në Jezerc të Ferizajt.

    Kush është Bujar Shabani, përfituesi i madh në Qeverinë Kurti?

    Emri i Bujar Shabanit është lakuar shpeshherë në mesin e përfituesve të mëdhenj të tenderëve përgjatë Qeverisë Kurti.

    Në fund të dhjetorit të vitit që shkoi, Ministria e Infrastrukturës e “gëzoi” me tender Bujarin dhe vëllain e tij, Sokol Shabanin.

    SHIH EDHE:

    Ministria e Infrastrukturës më 26 dhjetor të 2024-ës ndau 2,9 milionë euro tender për konserciumin ekonomik ‘Dio Bes SH.P.K’ dhe ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’. Tenderi kishte të bënte me rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale Shipashnicë-Desivjocë-Tërstenë.

    Pronar i ‘Dio Bes SH.P.K’ është Sokol Shabani, vëllai i Bujar Shabanit.

    Pasurimi i Sokol Shabanit nga Qeveria Kurti s’po kufizohet vetëm në këtë rrugë. Firma e tij në konsercium me ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’ ka ndarë tender në vlerë prej 8,3 milionë euro në ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

    Vetëm një ditë më vonë pasi ia kishte ndarë afro tre milionë Sokolit, Ministria e Infrastrukturës ia ndau Bujar Shabanit në konsercium me EL-BAU’n mbi katër milionë euro. Pra, më 27 dhjetor të 2024-ës.

    Këto para u ndanë për ndërtimin e segmentit Kishnicë-Bresalc në kuadër të autostradës së Gjilanit.

    Bujar Shabani është “nderuar” shpesh nga Ministria e Infrastrukturës, ku zëvendësministër shërben Hysen Durmishi, i cili njihet për afërsi me multimilioerin. Shabani i “Bageri Company” ka fituar kontrata të majme përgjatë Qeverisë Kurti. Një nga to ka qenë edhe për autostradën Prishtinë-Podujevë, në vlera milionëshe.

    Ndonëse pa ndonjë procedurë publike tenderuese, ura vjet testohej nga kamionët e rëndë të “Bagerit”, pronari i së cilës është Bujar Shabani.

    LEXO EDHE:

    Kuleta e biznesmenit ferizajas Bujar Shabani nga Qeveria u trash edhe përmes Telekomit të Kosovës. Kjo ndërmarrje publike po ia jep 190 mijë euro në vit. Pasi që kompania e tij “Bageri” ka lidhur një kontrata me Telekomin për dhënien në shfrytëzim të një objekti që ndodhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Qiraja për këtë objekt është rreth 16 mijë euro në muaj.

    LEXO EDHE:

    Shabani në nëntor të vitit që shkoi është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

    Më 20 nëntor 2024, Shabani e ka pranuar fajësinë derisa më 3 maj 2023 ai ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark