Një tifoz i futbollit spanjoll ka vdekur në tribunat e stadiumit “Los Carmenes”, të ekipit Granada.
Kësisoj, ndeshja që u zhvillua mes Granadas dhe Athletic Bilbaos së dielën u ndërpre për një datë të pacaktuar.
Fillimisht, ndeshja ishte ndërprerë nga arbitri për t’iu dhënë tifozit ndihma mjekësore.
Përkundër kësaj, tifozi nuk ka arritur që t’i përballojë sulmit në zemër dhe ka vdekur.
La Liga dhe klubet kanë njoftuar për rastin dhe kanë vendosur që kjo ndeshje të shtyhet.
“La Liga dhe klubet janë pajtuar për ta suspenduar këtë ndeshje për shkak të vdekjes së tifozit në ‘Los Carmenes’. Athletic Bilbao shpreh keqardhje për ngjarjen në tribuna dhe i dërgon mesazh përkrahës familjes së tij”, ka shkruar Bilbao në platformën ‘X’.
Bilbao gjatë ndeshjes ishte në epërsi 1:0 me golin e Inaki Williams, i cili shënoi në minutën e gjashtë.