×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Veç për bileta afro 7 mijë euro – sa i kushtoi ministres Nagavci udhëtimi drejt Japonisë?

    Insajderi
    10 November 2023 - 12:15

    Udhëtimi drejt Japonisë, vet të tretës, ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci i kushtoi afro 10 mijë euro. Ministrja atje u shoqërua nga shefja e kabinetit të saj dhe prorektori i Universiteti të Prishtinës. Dihet përse udhëtuan drejt kontinentit të Azisë, por nuk dihet sa qëndruan. Për këtë udhëtim zyrtar të ministres, Insajderi ka kërkuar Qasje në Dokumente Publike për të kuptuar më saktë se sa e për çka u shpenzua.

    MASHT-i përmes një komunikate njoftonte se ministrja me 2 tetor po merrte pjesë në Forumin e 20-të Ndërkombëtar për Shkencë dhe Teknologji (STS 2023).

    Por, sa i kushtoi buxhetit të shtetit kjo vizitë e Nagavcit?

    Vetëm për biletat e udhëtimi të ministres, Arbërie Nagavci, shefes së kabinetit të saj, Bora Shpuza dhe Prorektorit për Kërkime, Projekte, Inovacion dhe Informacion në Universitetin e Prishtinës, Sefer Avdijaj buxhetit të shtetit i kushtuan afro 7 mijë euro apo (6.924 euro).

    Insajderi ju sjell detajet se sa u shpenzua për secilin veç e veç:

    Ministrja Nagavci veç vet në total për këtë udhëtim shpenzoi 3 mijë e 511 euro, këtu përfshihet akomodimi, ushqimi, mëditja, bileta e avionit si dhe transporti.

    Katër euro më pak shpenzoi Shefja e kabinetit të saj, Bora Shpuza apo thënë më saktë 3 mijë e 507 euro.

    Ndërkohë, për prorektorin, Sefer Avdijaj nga buxheti i shtetit shkuan 2 mijë e 926 euro.

    Në total, tre zyrtarët shpenzuan afro 10 mijë euro apo 9 mijë e 944 euro.

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci udhëtoi drejt Japonisë me ftesë të ministres së Shtetit për Politika të Shkencës dhe Teknologjisë në Japoni, Takachi Sanae.

    /Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark