×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Veprimtari të kundërligjshme në derë të Policisë e Prokurorisë- Për çka shërbente zyra serbe që shtirej si OJQ në Prishtinë

    Insajderi
    31 January 2024 - 20:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Policia e Kosovës ka bastisur gjatë ditës së sotme një lokal që është ngjitur me hyrjen e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, derisa aksioni po vazhdon ende. Prokuroria ka njoftuar se në këtë objekt dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.

    I pari i dikasterit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky objekt është tejet i dyshimtë dhe se paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

    Ministri tha se pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e OJQ-së “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”.

    Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, tha Sveçla.

    Por, kush është Organizata Joqeveritare “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”?

    Bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare kuptohet se organizata e cila u bastis sot nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, “Centar za Mir i Toleranciju Pristina“, është themeluar nga tre persona: Sasa Ilic, Srdan Popovic, Zorica Obradovic, raporton Insajderi.

    Kryetar i kësaj organizate është Sasa Ilic. Ndërkaq, adresa e saj thuhet se është në Graqanicë. Sipas SEOJQ, organizata është themeluar me tetor 2002.

    Organizata e cila dyshohet se ka ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt, ka prezantuar një qëllim krejtësisht të ndryshëm në Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare.

    Aty thuhet se, organizata në fjalë ka për qëllim përmirësimin e jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social dhe përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla.

    Një nga aktivitetet kryesore të prezantuara nga kjo organizatë është ‘gjetja e mënyrës për vendosjen e dialogut për përhapjen e tolerancës dhe paqes ndërmjet të gjitha grupeve etnike në Kosovë‘.

    Qëllimi i këtij organizimi është përmirësimi i gjithë jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, kjo nënkupton përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social, përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla. Aktivitetet tona do të punojnë në edukimin, organizimin e jetës kulturore dhe mbështetjen e aktiviteteve sportive të të rinjve, një nga aktivitetet kryesore është gjetja e mënyrës për vendosjen e dialogut për përhapjen e tolerancës dhe paqes ndërmjet të gjitha grupeve etnike në Kosovë dhe në atë mënyrë për të kontribuar. për demokratizimin e shoqërisë kosovare.”, thuhet në SEOJQ./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark