×
  • Lajme
  • Lajme

    Veprimtaria e zezë e agjencive turistike/ Çfarë përfaqësojnë Globus Travel e Cosmos Tours?

    Insajderi
    08 May 2024 - 12:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që “lufton” çdo ditë për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik, nuk e ka fare idenë se çfarë përfaqësojnë terminalet e turizmit, agjensitë turistike.

    Mund të ketë një listë të emrave të agjensive turistike, kontakteve dhe adresave të tyre, por asgjë tjetër.

    Cilët janë personat që fshihen pas tyre, me çfarë aktiviteti janë marrë apo nëse trafiku jo turistik është synimi kryesor i tyre, ministria nuk e ka haberin. Vendet e zhvilluara demokratike agjensitë turistike i kanë jo vetëm në fokus, por edhe partnere inteligjente të agjensive ligjzbatuese.

    Në Shqipëri gjysma e agjensive turistike kanë aktivitet të dyshimtë. Pas paketave turistike që të çojnë në çdo pikë turistike të botës, por dhe që të sjellin për në Shqipëri, fshihet një aktivitet i errët. Jo pak herë ka dalë në fokusin publik trafiku i klandestinëve që bëhet nga Rinasi, nëpërmjet këtyre agjensive. Në “defteret” e agjensive fshihen me dhjetra të dhëna udhëtimesh të nxehta, që nga politikanët me dashnoret e tyre, deri në transportet e “ftohta” të parave apo dokumenteve të falsifikuara.

    Linjat ajrore dhe tokësore të agjensive turistike janë hambar informacioni.

    Por kush i ka? Kush i përdor këto databaza turistike?

    Vettingu si proces verifikimi për të nxjerrë në pah shpenzimet e luksit që kanë kryer, prokurorët e gjyqtarët gjatë karrierës së tyre, është përballur me dokumente të agjensive të udhëtimit.

    Bileta, çmime, vërtetime janë adminstruar në dosjet e vettingut si “alibi” apo fatura ndershmërie për udhëtime të pafajshme në Dubai, Turqi, Spanjë, apo SHBA. Faturat e agjensive turistike janë përdorur edhe si prova mbrojtëse në procese gjyqësore që lidhen me akuza të rënda penale.

    GLOBUS TRAVEL

    “Globus Travel” është një nga agjensitë më të njohura turistike në vend. Ofron paketa turistike në vendet më të bukura të botës dhe shet bileta për transport detar, ajror, tokësor për në çdo pikë të rruzullit. “Globus Travel” ka si pronare Eleonora Gjonpalaj (Lekgjonaj) dhe administratore motrën e saj Adjola Lekgjonaj.

    Eleonora që në 2002 bënte ndërmjetësen e biletave në sheshin përballë ish kafe “Flora” bashkë me motrën e saj, sot kanë ngritur një perandori udhëtimesh. Por pas tyre qëndronin dy burra të fuqishëm, Astrit Gjonpalaj dhe Blenard Gila. Ky i fundit krijoi edhe agjensinë “Cosmos Tours” që më pas ia ndërroi emrin në “Manu Travel”.

    Eleonora dhe Astrit Gjonpalaj u larguan për në SHBA pas ardhjes së qeverisë socialiste (2013) dhe sot drejtojnë nga atje biznesin familjar “Globus Travel”, tashmë si dy shtetas amerikanë.

    Në vitin jo shumë të largët 2012 një raport “confidential” nga BE rrezikonte Shqipërinë t’i kthehej regjimit të vizave në hapësirën “Shengen”. Shqipëria që kishte fituar lirinë shengen me bujë të madhe në vitin 2010 për dy vjet rrezikoi ta humbiste atë, pasi Rinasi u bë terminali i trafikut klandestin për në BE. Trafiku bëhej nëpërmjet pajisjes me pasaporta falce shqiptare, pajisje me bileta të agjensive turistike të klandestinëve, sidomos shtetasve nga Kosova dhe Turqia. Në shkurt 2012 Italia, izoloi për të disatën herë shtetas “shqiptarë” që kishin ardhur nga Rinasi. Problemi u bë i madh, pasi i gjithë Rinasi ishte korruptuar në formë të organizuar nga maja tek trau.

    Qeveria “Sali Berisha” me Flamur Nokën Ministër të Brendshëm, u detyrua të merrte masa për fajtorët e trafikut. Nga hetimet e SHKB të asaj kohe, që referoi materialet në prokurorinë e Tiranës, fajtorë dolën gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Rinasit, plot 17 oficerë policie.

    Për 15 u morën masa. 5 oficerë u përjashtuan nga policia, ndërsa shefi i Hetimit të Krimeve në aeroportin e Rinasit të asaj kohe, Komisar Astrit Gjonpalaj, shpëtoi me një ulje grade dhe transferim si shef në Komisariatin e Laçit.

    Hetimi i brendshëm nxorri në atë kohë se biletat e kosovarëve klandestinë ishin prerë në një agjensi që ndodhej në Rinas, “Globus Travel”. Sipas deklarimeve, te kjo “pikë” biletarie, brenda në aeroport kishte dy vjet që bëhej ky aktivitet “turistik”.

    Në verën e vitit 2013 me ardhjen e qeverisë socialiste në pushtet, “Globus Travel” u zhvendos nga Rinasi për në kafen “Flora”, aty ku është edhe sot, ndërsa Astrit Gjonpalaj u përjashtua nga policia. Ai dhe Eleonora Gjonpalaj u larguan për në SHBA, përftuan shtetësinë amerikane dhe, nga atje drejtojnë “perandorinë” turistike “Globus Travel”, që tashmë ofron udhëtime legale për në çdo cep të botës turistike.

    “Globus Travel” dhe “Cosmos Tours” vazhduan biznesin familjar të pashqetësuar nga shteti, edhe kur të dyja agjensitë u kthyen në zanatin e vjetër, duke u bërë alibi “turistike” në procese vettingu të prokurorëve të korruptuar.

    Një dosje me dokumenta të këtyre dy agjensive turistike është duke u verifikuar në redaksi. Aty tregohen fakte, prova dhe deklarata që hedhin dritë mbi disa afere të dy motrave Lekgjonaj, te cilat u dalin në krah me deklarata noteriale personazheve të drejtësisë.

    Ndërhyrja në procesin e vettingut me dokumenta që justifikojnë udhëtime luksi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, prej agjensive turistike, do jetë fokusi i një investigimi të detajuar në vijim.

    Shteti duhet të hapë sytë tek agjensitë turistike, që shërbejnë jo vetëm si terminale klandestinësh që vijnë nga Kurdistani apo Pakistani, por që jo në pak raste janë kthyer në “fole” biznesi të rehatshëm për personazhe me të kaluar të dyshimtë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark