“Vetëm kosa të vjen hakesh” - Dënohet me 2 mijë euro gjobë mërgimtari që kanosi Hotin në Facebook - Insajderi
×
Insajderi

“Vetëm kosa të vjen hakesh” – Dënohet me 2 mijë euro gjobë mërgimtari që kanosi Hotin në Facebook

Insajderi
08 August 2023 - 13:56
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sadiku, u shpall të martën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta paguajë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënimin e shqiptuar me gjobë, gjykata dënimin me gjobë ia zëvendëson më dënim me burgim, dukë iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.

I njëjti obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogaritën nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë, e 20 euro tjera për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.

I dëmtuari në këtë rast deputeti Abdullah Hoti nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike.

Ndërsa, i akuzuari i kërkoi falje publike të dëmtuarit Hoti.

“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark