Ish-kandidatja për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajsun Abdullahu Sadiku është rehatuar me pozitë në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” në këtë qytet.
Në tetor të këtij viti, KRU “Hidromorava” ka shpallur konkurs për pozitën ‘sekretar/e‘. Dy muaj pas, për këtë pozitë u përzgjodh Ajsun Abdullahu Sadiku.
Ajsun Abdullahu Sadiku rezultoi si kandidatja më e suksesshmja pas intervistimit. Ajo arriti plot 86.07 pikë.
Mandati i saj në pozitën e sekretares do të jetë tre vite, me mundësi vazhdimi duke filluar nga data 15 janar 2024.
Paga bazë për pozitën e sekretares është 1 mijë e 80 euro në muaj.
Në arsyetimin e vendimit të KRU “Hidromorava” thuhet se bordi i drejtorëve në cilësinë e komisionit intervistues, pas intervistës me gojë, me më së shumti pikë e ka vlerësuar kandidatën Ajsun Abdullahu Sadiku.
Kujtojmë se, Ajsun Abdullahu Sadiku ishte kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 2021’ës.
Ajo nuk arriti të sigurojë një ulëse në kuvendin komunal në vitin 2021, por që më pas u emërua në pozitën e shefes së kabinetit të kryetarit Alban Hyseni.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar KRU “Hidromorava”, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje për përzgjedhjen e kandidates në fjalë.