Opozita në Prizren ka denoncuar publikisht përseri Qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës për nepotizëm.
Asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani, ka akuzuar pushtetin lokal se ka punësuar shefin e grupit të PDK-së dhe motrën e ish kryetarit të AAK-së Lulzim Kabashi nga 30 kandidatët që kishin aplikuar në konkursin e hapur për pozitën ‘Infermier/e i përgjithshëm‘.
“Pas punësimit të djalit të kryetarit të Komunës, pas punësimit të djalit të drejtorit të bujqësisë, tani ka ardh koha për punësimin e Shefit të grupit të PDK-së dhe motrës së ish kryetarit të AAK-së Lulzim Kabashi. Pra prej 30 kandidatëve, “rastësisht” punësohen vetëm këta të dy”, ka shkruar Alishani në Facebook.
Tutje, ajo ka ironizuar me punën 1 vjeçare të kryetarit Shaqir Totaj.
“Nime, urime 1 vjetorin e fitores së Shaqirit se në “selamet” e ka qitë e ka me e qitë Prizrenin”, shkroi asamblistja e VV’së.
Adrit Krasniqi është shef i grupit parlametar të PDK’së. Ai në këtë konkurs ka marrë 87.5 pikë.
Insajderi ka raportuar mbrëmë (e shtunë) për punësimet e njerëzve të afërt me PDK’në në Prizren në konkurset për drejtor shkolle dhe mësimdhënësa.