×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Vetëvendosje nuk do ta ndërrojë listën, fituesi dihet”

    Insajderi
    26 January 2021 - 18:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Alim Rama, është i bindur se të gjithë kandidatët e kësaj partie në listë janë në pajtueshmëri me ligjin dhe se të gjithë do të jenë kandidatë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

    Rama tha se pas refuzimit të sotëm të PZAP-së për të udhëzuar KQZ-në të certifikojë si të plotë listën e VV-së, tha se do të ankohen në shkallën e fundit, në Gjykatën Supreme.

    Rama tha se pavarësisht, vendimit të Supremes, VV-ja nuk do të ndryshojë listën dhe do të garojë edhe me pesë kandidatët, që tash për tash nuk janë certifikuar.

    “VV-ja nuk do të ndryshojë listën. Këshilli i Përgjithshëm i VV-së ka vendosur që Albin Kurti të jetë bartës i listës dhe kështu do të jetë, pavarësisht vendimit të shkallës së fundit. Gjithsesi ne shpresojmë që Supremja do të vendosë në favor të VV-së dhe të hedh poshtë vendimin paushall të KQZ-së, sikur që ka bërë edhe më herët me rastin e deputetit Zafir Berisha”, ka thënë Rama për Express Intervistë.

    Ai ka akuzuar kryesuesen e KQZ-së, Dakën, se është bërë palë me partitë rivale të VV-së, LDK e PDK.

    “Ajo në një mënyrë po bashkëpunon me kolegët e mi nga LDK-ja e PDK-ja. Ajo duhet të jetë e paanshme në proceset politike, është vendim politikisht dashakeq dhe ka për qëllim të diskreditojë procesin zgjedhor. E gjitha që është bërë ka vetëm një qëllim, të pengohet Albin Kurti, pasi fituesi dihet, të gjithë të tjerët janë dëm kolateral”, tha Rama.

    Ai akuzoi edhe PZAP-në për vendimin e sotëm, që nuk i dha të drejtë VV-së. Tha se për herë të parë ka parë që ligji të jetë mbi Kushtetutën.

    “Ky është vendim absurd, por e pash sot te PZAP-ja”, tha ai.

    Rama ka akuzuar Dakën edhe se PZAP-së i ka shkruar letër vetë për këtë çështje, e sipas tij, duhej të përgatitej nga Zyra për Certifikim, të votohej në KQZ dhe më pas e firmosur nga Daka të nisej për PZAP.

    “Por, ajo e ka shkruar vetë letrën, KQZ-në e llogarit pronë private. Njëjtë ka ndodhur edhe me zgjedhjet në Podujevë. Në vendimin e Presidencës për shtyrje të zgjedhjeve thuhej se është marrë bazuar në kërkesën e KQZ-së, ndërkohë ne si KQZ nuk i kishim nisur letër. Tri ditë më vonë, u pa se ajo i ka nisur kërkesë presidentit privatisht”, shtoi Rama.

    Ai foli edhe për mundësinë, sipas tij, hipotetike, që edhe Supremja të refuzojë listën e VV-së. Tha se lista nuk do të ndërrojë dhe se VV-ja nuk do të humbasë asnjë votë.

    “Lista do të jetë ashtu siç është. Votat që shkojnë për kandidatët e pacertifikuar, do të numërohen vetëm si vota për subjektin. Votat për kandidatët nuk determinojnë në votat e subjektit. Votat për kandidatë, janë vetëm për radhitje të brendshme”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark