
Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar propozimin e partisë së tij për “Alternativën” e tri partive opozitare.
Këtë ai e ka bërë duke thënë se dëshiron që të qartësohet për publikun “në mënyrë të sinqertë dhe jo të pavërtetë, ato që janë diskutuar brenda opozitës”.
Alternativa është e ndarë në disa pjesë ku rregullohen në detaje struktura organizative e Alternativës, organet e saj, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve, marrëdhëniet me publikun, e të tjera.
Në hyrje të Alternativës thuhet se ky është bashkim i forcave opozitare që kanë organizuar dhe vazhdojnë rezistencën kundër regjimit autoritar të instaluar nga koalicioni qeverisës LDK-PDK-Lista Srpska.
“Ky regjim i ka sjell Kosovës dy marrëveshje që e rrënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit: marrëveshja e 25 gushtit 2015 për “Zajednicën” dhe marrëveshja e 26 gushtit për demarkacionin”, thuhet në propozimin e Vetëvendosjes.
“Alternativa synon të bashkojë të gjitha subjektet politike, sindikatat, organizatat dhe personat publikë që ndajnë parime të përafërta me anëtarët e ALTERNATIVËS për të krijuar një front sa më të gjerë shoqëror që do t’i ofrojë Kosovës një rrugëdalje nga kriza e përgjithshme ekonomiko-politike që ka kapluar vendin”, thuhet në propozimin e Vetëvendosjes.
Sipas propozimit, Alternativa do të drejtohej nga këshilli drejtues, në përbërje nga tre përfaqësues të këtyre subjekteve politike – VV, AAK e Nisma – tre përfaqësues nga shoqëria civile, zëdhënësi i alternativës dhe të tjerë (sipas vendimit të këtij këshilli).
Por, në këtë propozim thuhet se drejtues i këtij këshilli vije nga radhët e Vetëvendosjes “si subjekti me forcën më të madhe politike brenda Alternativës.”
Këshilli drejtues, sipas VV-së, ndër të tjerash miraton platformën politike, zgjedhë zëdhënësin, formon grupe puneuse, harton dhe miraton listën e përbashkët të alternativës e të tjera./Insajderi.com