Deputeti Veton Berisha tha se ka deponuar padi për shpifje ndaj Mërgim Nezirajt, shef i kabinetit të ministrit Elbert Krasniqi dhe sekretar organizativ i IRDK-së.
Berisha shkroi se nga tani e tutje çdo pretendim që, sipas tij, përbën shpifje ndaj tij do të marrë përgjigje përmes institucioneve të drejtësisë.
“Sot kam deponuar padi për shpifje ndaj z. Mërgim Neziraj. Tash ai do të duhet të paraqitet në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe të dëshmojë se për cilat ‘zarfe’ e kishte fjalën”, ka shkruar Berisha.
Ai ka shtuar se, nëse Neziraj nuk arrin t’i vërtetojë pretendimet e tij, do të përballet me pasojat ligjore të shpifjes.
Berisha ka bërë të ditur se në padi ka kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 50 mijë eurosh, ose një shumë tjetër që mund ta caktojë gjykata.
“Me deponimin e kësaj padie, kam zgjedhur rrugën institucionale që faktet dhe e vërteta të vërtetohen para drejtësisë”, ka deklaruar ai.