×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Video | Po mbante një takim elektoral, vritet kandidati për president në Ekuador

    Insajderi
    10 August 2023 - 21:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kandidati për president i Ekuadorit, Fernando Villavicencio, është qëlluar për vdekje përgjatë fushatës zgjedhore.

    Villavicencio, pjesëtar i Asamblesë Kombëtare të shtetit, është sulmuar të enjten(10 gusht) pasi është larguar nga një takim me mbështetës në qytetin verior Kuito.

    Një pjesëtar i ekipit të fushatës së tij, u ka thënë mediave lokale se Villavicencio ka qenë duke hyrë në makinë kur një burrë i ka dalë përpara dhe e ka qëlluar në kokë.

    Presidenti aktual Guillermo Lasso, është zotuar se ky “krim nuk do të mbetet pa ndëshkim”. Dëshmitarët kanë thënë se Villavicencio, 59-vjeçar, është qëlluar tri herë me armë.

    I dyshuari është plagosur, po ashtu, gjatë shkëmbimit të plumbave me pjesëtarë të sigurisë, dhe më vonë ka vdekur nga plagët, kanë thënë autoritetet. Në total, nëntë persona është thënë të jenë plagosur në këtë incident.

    Zgjedhjet

    Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet do të mbahet më 20 gusht. Lasso, i cili nuk ka garuar për një mandat të ri, ka thënë se është “i shokuar” nga vrasjet, dhe ka shtuar se “krimi i organizuar ka jetuar gjatë, mirëpo pesha e rëndë e ligjit do t’iu bjerë mbi kokë të gjithëve”.

    Rritja e shkallës së krimit, e nxitur nga prezenca më e madhe e karteleve të drogës në Ekuador, është çështja kyçe e diskutimit përgjatë fushatës presidenciale.

    Gjendje e jshtëzakonshme

    Presidenti në largim i Ekuadorit, Guillermo Lasso, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend pas vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio.

    Një dekret vendos 60 ditë gjendje të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe parashikon mobilizimin e Forcave të Armatosura në të gjithë territorin kombëtar dhe një dekret tjetër shpall tre ditë zie kombëtare.

    “Forcat e Armatosura janë aktualisht të mobilizuara në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë e qytetarëve, qetësinë e vendit dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike të 20 gushtit”, tha presidenti në largim në një fjalim të transmetuar në YouTube.

    Dënim unanim

    Vrasja e Fernando Villavicencio, kandidat i mazhorancës qeveritare në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Ekuadorit, ka tronditur të gjithë spektrin politik të vendit.

    Dënimi i sulmit ndaj gazetarit dhe politikanit 59-vjeçar, trashëgimtar i presidentit aktual Guillermo Lasso, ishte unanim edhe nga kundërshtarët e tij në garën presidenciale. Favoritja absolute në sondazhe, Luisa Gonzalez, kandidate e partisë së ish-presidentit Rafael Correa, shprehu “indinjatën” e saj duke deklaruar se vdekja e Villavicencio “është zi për të gjithë”.

    Në mënyrë të ngjashme, kandidati i lëvizjes indigjene Pachakutik, Yaku Perez, i cili kandidon për votim, shprehu ngushëllimet e tij dhe deklaroi se “Ekuadori nuk meriton më vdekje”.

    Kandidati i pavarur i qendrës së djathtë, Otto Sonnenholzner, dënoi sulmin duke argumentuar se “vendi ka dalë jashtë kontrollit” nga qeveria.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark