×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Viktor Eftimiu: “Tre musketierët”- tregim

    Insajderi
    28 October 2023 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përktheu nga rumanishtja Pandi Bello

    Do t’ju tregoj rreth një nate të përcjellë në një atmosferë krejt të veçantë në Parisin e vitit 1910, në një pallat të bulevardit të rrallë të Fushave – Elysees, në shoqërinë më pretenduese të metropolit, me dukë, markezë, njerëz të politikës, financierë të mëdhenj, diplomatë dhe aktore të shquara.

    Ishim tre të rinj rumunë. Unë isha më i riu, rreth njëzet vjet.

    Dy të tjerët, disa vite më të mëdhenj, ishin djem parallinjsh, studentë në Drejtësi, shefa të ardhshëm të kabinetit të ndonjë xhaxhai ministër, parlamentarë të ardhshëm dhe dhëndurë pasanikësh, bankierësh dhe personalitetesh politike. Nuk para i hapnin librat. Paratë e dërguara nga familja i shpenzonin ditët e para të muajit, ndërsa javët e tjera rronin nga lekë të gjetura me vështirësi. Sidoqoftë, ishin djem të mirë. Moskokëçarës simpatikë, të shkathët që s’e vrisnin mendjen për veprimet e tyre, ata nuk dalloheshin aspak nga studentët e tjerë të pasur rumunë të Lagjes Latine, asaj qëndre të Parisit ku ndodhen shkollat dhe ku qëmoti bridhnin pa fund të huaj, bohemë dhe shitëse të atelieve, lagje: jeta dhe magjia e së cilës janë përshkruar me solemnitet nga shumë shkrimtarë.

    I varfër dhe i vetmuar, u miqësova me ata dy bashkëatdhetarë, që të mos mbetesha aq shumë i vetmuar dhe aq shumë i varfër. Në shoqërinë e tyre, i ftuar prej tyre, mund të ushqehesha, herë pas here, në një restorant luksoz dhe mund të kaloja orët e vona të natës në tarracën e kafenesë “Fouquet” në Champs-Elysees.

     Në darkë vishnim frakun dhe në kërkim të aventurës, kalonim Senan, drejt qëndrës së Parisit, në bulevardet e mëdha, përreth Operas dhe kabareve të Montmartre.

     “Aventurë” ishte takimi me ndonjë rumun të pasur, i porsa pikuar nga atdheu, i cili vinte në Paris të argëtohej, para se të shkonte në Kepin e Kaltër, të luajë letra dhe në ruletë në kazinotë e Nisës, Kanës dhe Monte-Karlos.

     Të rinj, elegantë, hynim në lokalet më të dëgjuara të natës, duke i parë klientët e tjerë nga sipër, duke patur shprehjen e atij që kërkon dikë që po e pret.

    Dhe më se një herë ndeshnim viktimën e kërkuar, pasanikun moldo-vllah, i cili na ftonte në tavolinën e tij.

    Më i zhdërvjellti nga ne ishte “shefi”, Stelikë Fërkëshanu, pasuesi i disa latifondistëve krajoven, babai i të cilit kishte qënë shumë herë minister. I dyti, Barbu Vukulesku, ishte dhe ai djalë pasanikësh nga Buzau. Përmes prindërve njihnin shumë njerës. Unë, siç ju tregova isha më i riu dhe më i urti.

    Frakun e kisha marrë borxh, kapelën cilindrike ma kishte dhuruar një bukureshtean që mori doktoraturën, iku në shtëpi dhe nuk kishte si të merrte në bagazhe kapelen e papërthyeshme.

     Siç e dimë, Fërkëshanu dhe Vukulesku e prishnin bursën mujore që javën e parë, duke shpenzuar budallallëkshe dhe duke humbur orët e leksioneve. E dinin se nuk do vdisnin urie, pronari kishte besim tek ata, ndërsa ata i besonin yllit të tyre dhe zemërgjërësisë së bashkëatdhetarëve dhe ata ish studentë, të cilët kishin kaluar gati të njëjtën jetë dhe rijetonin rininë e tyre në shoqërinë tonë.

    Djemtë e Lagjes Latine na vunë nofkën “Tre musketierët”. Rreth orës 9-10 të mbrëmjes hiqnim armët, domethënë frakun dhe kapelen cilindrike dhe merrnim për nga “Café de Paris”, ”Café de la Paix”, ”Café Anglais” dhe gjithë atyre restoranteve të quajtura cafes.

    Një natë kishim hyrë në një kabare luksoze në Montmartre. Një lokal plot me njerëz, të cilin e kontrollonim me shikime prej shqiponje perandorake dhe prej njerëzish që kërkojnë të ftuarit, ose zotërit e shtëpisë. Në një tavolinë mbretëronte e vetme një zonjë e huaj, mjaft në moshë, e lyer fort, e ngarkuar me bizhuteri, e cila duke parë se s’kishim vend, na buzëqeshi ëmbël dhe na ftoi në tavolinën e saj. Na ofroi midhje, pëllumba të egër, shampanjë.

    Ishte dhe ajo ndoshta në kërkim të “aventurës”. Tre zotërinj, të rinj, të pashëm, shumë të sjellshëm, të huaj edhe ata, i kënaqnin , ndoshta, dashurinë e saj prej bukurie të perënduar. Një çast dallova se vështronte përmbi kokat e klientëve në një tavolinë ku hanin darkë dy zonja, shumë elegante dhe ato, të shoqëruara nga dy zotërinj impozantë dhe të thinjur. Njiheshin ndoshta. Hidhnin buzëqesshje përtej tavolinave. Kisha përshtypjen se zonja jonë mburrej para dy zonjave të huaja duke i u thënë me sy : “Ju jeni dy, me dy pleq, unë jam një me tre të rinj bukuroshë!”.

    Na gostiti si një guvernatore e vërtetë, na dha adresën e hotelit ku banonte(“Ritz”) dhe na tha se është vetëm në Paris dhe se do ti pëlqente të shihemi përsëri, të dalim bashkë.

    Të zënë me një delegacion ekonomistësh nga vendi, në rolin e ciceronit, të cilët na shpagonin me tavolinat plot, nuk e kërkuam nja 10 ditë.

    Një mbrëmje, pas largimit të çetës ministeriale rumune, me që ishim nga fundi i muajit, pra me xhepat bosh, shkuam në hotel “Ritz”, të kërkojmë zonjën mikpritëse. . Por ishte larguar, buzëmbrëmjes përtej oqeanit.

    -Ç’do bëjmë vëllezër? – na pyeti “shefi” Stelikë Fërkëshanu.

    Pa një qindarkë, fringo dhe me këpucët e lustruara, me këmishë që shkëlqenin, me kapelet mbi vetull, shkuam në Piaca Concordia, pastaj në rrugën paralele me Avenue des Champs-Elysees, një rrugë e kufizuar me pemë plot gjethe, me kopshte dhe “hotele personale” plot pasuri. Ndërmjet këtyre hoteleve luksoze, banesa pasanikësh të mëdhenj, ndodhet pallati famoz dhe parku i markezes de Pompadour, sot rezidencë e presidentit të Republikës.

     Para njërit prej këtyre pallateve qëndronin njerëz me veshje plot shkëlqim, madje edhe disa automobila. Automobila të tjerë dhe pajtona shtëpie, me shambellanë të veshur pa shije, mbërrinin vazhdimisht, duke sjellë një shoqëri elegante, e cila zbriste në platformën me lule dhe përmes një shkalle mermeri, të mbuluar me një qilim të kuq e të trashë, depërtonin në sallonet e gjëra, të ndriçuara nga llampadarë me qindra drita.

     Një pritje në stil të lartë.

    -Çdo të ishte sikur të merrnim pjesë edhe ne?-tha Stelikë Fërkëshanu dhe u nis drejt shkallës madhështore prej mermeri, i ndjekur nga Barbu Vukulesku, po aq serioz sa ai.

    Unë i ndiqja dy hapa larg, duke përjetuar kompleksin e inferioritetit të njeriut që ka veshur një frak që nuk i përket.

    Në krye të shkallëve priteshim nga të zotët e pallatit, një zotëri dhe një zonjë, të dy flokëbardhë, krela-krela dhe me faqen rozë, të rinuar. U përkulëm në mënyrë ceremoniale. Të zotët e shtëpisë na pritën buzagaz dhe pak të çuditur.

    Ndodheshim në shtëpinë e një personazhi të rëndësishëm financiar, markez dhe në të njëjtë kohë metalurgjist, i cili kishte uzina të shumta dhe degë të tyre jashtë vendit. Kalum vjedhurazi mes zotërinjve të shumtë me frak dhe zonjave me toalete elegante që shkëlqenin nga diamantet. U gjendëm, kuptohet, tek bufea, ku shërbenin njerëz të veshur me uniformë me shirita, që vezullonte. Byrekë me mëlçi pate, ngjala të prera, trofta të ngjyera në xhelatinë, fazanë dhe pëllumba ishin rradhitur në tava të gjata prej argjendi. Ne nuk dinim çfarë të zgjedhim. Na gostitën si perandorët. Pimë edhe shumë kupa shampanjë.

     Ndoshta bëmë keq, sepse kjo pije fisnike na dha një gjëndje të mirë dhe një vrull që duhej konsumuar. Shëtitnim në shtëpinë e milionierit si në një çiflig të babait, duke përshëndetur djathtas dhe majtas, sikur të ishim nipërit trashëgimtarë të atij markezi, pasanik i madh i metalurgjisë. Ftonim në vallzim zonjusha bjonde dhe zonja të pjekura, të cilat nuk i njihnim, pastaj i shoqëronim tek bufea, me përkulje e plot sjellje prej xhentëlmeni.

    -Ndjehuni si në shtëpinë tuaj!-na inkurajonte shefi, Stelikë Fërkëshanu, Lart zemrat!

    Në një moment grupit tonë i afrohet një gjatolli impozant me një shënjë plage në faqen e majtë. Ktheu jakën e frakut, na tregoi stemën e inspektorit policor dhe me shumë edukatë na pyeti :

    -Ftesat tuaja?

    Me të njëjtën kujdesje kërkuam nëpër xhepa ku, dihet, nuk ekzistonte asnjë ftesë.

    -Bëni mirë të zhdukeni me të katra!-na këshilloi në mënyrë autoritare përfaqësuesi i Sigurimit publik.

    -Siurdhëroni zotëri!-u përgjigj Fërkëshanu, duke përshëndetur me dy gishtat në tëmtha njeriun e autoriteteve, xhest të cilin e bëmë edhe ne, dy musketierët e tjerë.

    E morrëm me të shpejtë drejt daljes, duke zbritur shkallët prej mermeri ngadalë, me dinjitet, si njerëz të rregullt, të ngopur nga kaq pritje dhe të cilët nuk kanë për të humbur netët në argëtime. Dhe ja, arritëm jashtë.

    Gjithë disponim vonoheshim në trotuar pa ditur nga t’ja mbajmë. Kur pamë të vijë drejt nesh inspektori i policisë, i shoqëruar nga dy tipa të tjerë.

     -Zotit markez i erdhi keq për largimin tuaj dhe ju lutet me insistim të ktheheni!-na tha me shumë dashamirësi polici.

    Kishte diçka të habitshme në këtë ftesë.

    -Na vjen keq…por duhet të jemi në shtëpi para mesit të natës!

    -Ju lutem!-këmbënguli në mënyrë urdhëruese njeriu me çikatriçe.

    Dhe, tre agjentë na morrën për krahu dhe na tërhoqën pas tyre në shkallët e mermerta të mbuluara nga qilimi i kuq. Një heshtje e çuditshme zotëronte tani në pallatin luksoz, me dyert e mbyllura dhe të ruajtura, diçka e pazakonshme. Duket se, disa minuta pas ikjes tonë, zonja me flokët e bardha krela-krela, autorja e pritjes, konstatoi humbjen e varëses së saj të trefishtë me perla të vërteta.

    Policia, e pranishme si gjithmonë, me kujdes, në këto pritje, ku shkëlqejnë xhevahire prej miliardash, kontrollonte çdo të ftuar.

    Në mes të tyre ishte duka plak i Montmirail, shefi i një prej familjeve më të vjetra të Francës, një aristokrat i rënë, por me prestigj të madh, të cilin fisnikëria dhe borgjezia e pasur ishte shumë e nderuar ta kishte në mbrëmjet e tyre.

    -Unë nuk lejoj të më kontrollojnë!-i u përgjigj duka policit që e ftonte të tregojë xhepat.

    U bë një rreth përqark të respektuarit plak. Grupi i Sigurimit nuk guxoi të këmbëngulë.

    Menjëherë, në gjithë sallonin kaloi një si erë e shurdhuar, prej çtendosjes së frymëmarjes. E zonja e shtëpisë e kishte gjetur varësen me perla, e cila, për shkak të fustanit me dekolte, i kishte rënë në gjoks. Grupet u prishën dhe u formuan grupe të tjera.

    Tre musketierët i u afruan shefit të shtëpisë Montmirail.

    _Zoti dukë, i u drejtua Stelikë Fërkëshanu, jemi tre të rinj rumunë që guxojmë t’ju përgëzojmë për qëndrimin e denjë prej aristokrati të madh që mbajtët pak më parë.

    Miq të mi të rinj nga Rumania-na u përgjigj duka i Montmirail-nuk e bëra për shkak të krenarisë së klasës time, por kisha në xhepin e pantallonave një sanduiç, të cilin e mora te bufeja për mëngjezin e nesërm dhe nuk doja të ma shihnin! /ExLibris/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark