×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Vizita e Kurtit në kompaninë e biznesmenit të arrestuar për fajde

    Insajderi
    04 March 2023 - 23:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte vitit 2020, kur atë kohë kandidati për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë tash me kryeministrin Albin Kurti kishin vizituar kompaninë Laberion, me bazë në Podujevë.

    Në një postim të faqes së Vetëvendosjes në Podujevë thuhej se “duke besuar që baza kryesore për zhvillim ekonomik është prodhimi industrial, Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga themelimi i saj është angazhuar dhe ka promovuar në vazhdimësi prodhuesit vendor dhe konsumimin e produkteve të tyre”.

    Postimio vazhdonte me disa lavdata për kompaninë Laberion.

    “Kompania Laberion eksporton në 13 shtete e kryen proceduren prej homogjenizimit deri te ambalazhimi dhe makineria eshte gjermano-suedeze”.

    “Të cilat kanë arritur që të ndërtojnë një industri të rëndësishme të prodhimit dhe përpunimit të lëngjeve frutore. Krahas promovimit të prodhimit vendor, ata kanë ndihmuar ekonominë vendore edhe përmes gjenerimit të vendeve të reja të punës dhe përmes eksportimit të mallrave të tyre jashtë shtetit”, thuhej në njoftim që mbante datën 11 nëntor 2020.

    Por, kjo kompani të cilën e ka vizituar Kurti me njerëzit e tij, sipas dyshimeve të para është e përfshirë në fajde.

    Kjo pasi në orët e hershme të mëngjesit së të enjtes, Policia e Kosovës, Departamenti i Krimeve të Rënda në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës ka kryer bastisje në dhjetë biznese në regjionin e Prishtinës, Ferizaj, Vushtrri e Lipjan.

    Ky aksion policor rezultoi me arrestimin e 14 personave, disa prej të cilëve pronarë të auto salloneve e kompanive të tjera, të dyshuar për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij operacioni, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e prova të tjera.

    Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve, ku kërkohet paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Në mesin e bizneseve që u goditën nga shteti, janë kompania e cila bën prodhimin dhe distribuimin e lëngjeve ‘Dona Laberion’, e cila është në pronësi të biznesmenit llapjan, Bashkim Osmani – tashmë i arrestuar për fajde.

    Ai dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit, N.B., nëpërmjet Gëzim Sinanit, i ka dhënë atij 200 mijë euro me fajde, duke i kontraktuar një shumë mujore në vlerë të 12 mijë eurove si fajde.

    E prej tyre, sipas Prokurorisë, 8 mijë euro i ka marrë pronari i kompanisë ‘Dona Laberion’, ndërsa 4 mijë tjerat Sinani.

    Në pamundësi që të paguajë borxhin, i dëmtuari është detyruar t’i marrë edhe 200 mijë euro tjera në kushte të njëjta dhe si rrjedhojë borxhi total kapte shifrën e 1 milion e 96 mijë eurove.

    “Mirëpo në pamundësi që ti paguaj shumat e parave në emër të fajdeve, i dëmtuari është detyruar ti marr edhe 200 mijë euro në kushte të njëjta, kështu që borxhi i të dëmtuarit kishte arritur shumën prej 1 milion e 96 mijë euro, kështu që i dëmtuari është detyruar të marrë një kredi në ‘Ish Bank’ në shumë prej 70 mijë euro, të cilat ja ka dhënë të pandehurit Gëzim dhe një banesë në vlerë prej 70 mijë euro, duke pësuar një dëm pasuror në shumë rreth 330 mijë euro, kurse pjesa tjetër ka mbetur e papaguar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë të cilën e ka parë Sinjali.

    Nga Bashkim Osmani, i dëmtuari N.B., nëpërmjet Gëzim Sinanit kishte marrë me fajde edhe 80 mijë euro, për të cilat në muaj do të paguante nga 8 mijë euro si fajde.

    Prej pagesës mujore, Osmani kishte marrë nga 6 mijë euro, ndërsa Sinani nga 2 mijë.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se në fund të vitit 2021, i pandehuri Bashkim Osmani si pronar i ndërmarrjes prodhuese ‘Dona Laberion’ në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin N.B., si pronar i ndërmarrjes tregtare “…” për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19 është detyruar të kërkojë para nga Gëzim Sinani, i cili paratë i kishte marrë nga i pandehuri Bashkim në shumë prej 80 mijë euro, të cilat ja ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 8 mijë euro në muaj si fajde, prej të cilave 6 mijë i ka marr i pandehuri Bashkim, kurse 2 mijë i pandehuri Gëzim, derisa borxhi arrin shumën prej 175 mijë euro, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 95 mijë euro, të cilin obligim e kishte marrë përsipër ta paguaj Xh.Sh”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Me këto veprime, ata dyshohet se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale ‘Fajdeja’.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark