Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve, si në parkingjet publike ashtu edhe në ato private, me qëllim të parandalimit të vjedhjeve.
Sipas Policisë, shumë raste të vjedhjeve nga automjetet ndodhin pasi në brendësi të tyre lihen sende me vlerë në vende të dukshme, duke u krijuar mundësi personave keqbërës të dëmtojnë automjetin dhe t’i përvetësojnë ato.
Policia u rekomandon qytetarëve që të mos lënë çanta, portofola, telefona celularë, laptopë, tabletë, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë brenda automjeteve në vende të dukshme. Po ashtu, para se të largohen nga automjeti, drejtuesit duhet të sigurohen se dyert janë të kyçura dhe dritaret të mbyllura plotësisht.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton qytetarët që, në rast se vërejnë persona ose veprime të dyshimta pranë automjeteve apo në parkingje, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit pa pagesë 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.