Një asistente e pyjeve është emëruar ushtruese detyre në krye të një divizioni rajonal të Agjencisë Pyjore të Kosovës, ndonëse në të njëjtin departament figurojnë dhjetëra zyrtarë me pozita më të larta në hierarkinë administrative.
Kështu tregojnë dokumentet që Gazeta Insajderi ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike nga Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), të cilat hedhin dritë mbi emërimin e Vjollca Çerkinit si Ushtruese e Detyrës së Udhëheqëses së Divizionit për Produktet Drunore, Jo Drunore dhe Funksionet tjera të Pyllit në Departamentin Regjional të APK-së në Ferizaj.
Dokumentet ngrenë pikëpyetje jo vetëm për kriteret e përzgjedhjes së saj, por edhe për përputhshmërinë e vendimit me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të APK-së, Menderes Ibra, Vjollca Çerkini është caktuar në këtë pozitë nga data 20 prill 2026.
“Në mbështetje të nenit 35 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, si dhe në pajtim me nenin 9 të Ligjit Nr. 08/L-294 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197”, thuhet në vendim.

Megjithatë, lista zyrtare e stafit të Departamentit Regjional në Ferizaj, e siguruar nga Insajderi, tregon se para emërimit Çerkini ushtronte detyrën e “Asistentes për Ruajtje të Pyjeve” në Divizionin për Mbrojtje dhe Ruajtje të Pyjeve.
Në të njëjtin departament figurojnë disa zyrtarë me pozita më të larta, përfshirë zyrtarë të lartë për mbrojtje dhe ruajtje të pyjeve, zyrtarë të lartë për pylltari, udhëheqës divizioni dhe zyrtarë të tjerë të kategorive më të avancuara.
Çfarë thotë ligji për Zyrtarët Publikë?
Neni 35, paragrafi 1, përcakton:
“Në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, nëpunësja/i i nivelit të lartë drejtues e atij institucioni e cakton me vendim ushtruesen/in e detyrës për pozitën e lirë.”
Më tej, paragrafi 2 i të njëjtit nen specifikon:
“Në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, ushtruesja/i i detyrës mund të caktohet zyrtarja/i më i lartë i kategorisë pasuese, në vartësi të pozitës që caktohet, nga cilado njësi organizative brenda institucionit.”
Pikërisht ky formulim ngre pikëpyetje lidhur me emërimin e Çerkinit, pasi dokumentet e siguruara nga Insajderi tregojnë se ajo mbante pozitën e asistentes, ndërsa në departament ekzistojnë zyrtarë të lartë dhe pozita të tjera më të avancuara në hierarkinë administrative.
Nga dokumentacioni i siguruar nuk rezulton se përse është përzgjedhur pikërisht ajo dhe jo ndonjë nga zyrtarët e kategorive më të larta që veprojnë brenda të njëjtit departament.
Edhe afati i përcaktuar në vendim bie ndesh me ligjin?
Një tjetër çështje që del nga dokumentet lidhet me kohëzgjatjen e mandatit.
Në vendimin e APK-së thuhet se Çerkini do ta ushtrojë detyrën “deri në përfundimin e procedurave të rekrutimit për përzgjedhjen e Udhëheqësit të Divizionit, por jo më gjatë se dy (2) vite nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”.
Por Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton afate dukshëm më të shkurtra.
Neni 35, paragrafi 3, thotë:
“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë.”
Pra, sipas ligjit, periudha maksimale e ushtrimit të detyrës është një vit.
Madje paragrafi 4 specifikon:
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni.”
Ndërsa paragrafi 5 shkon edhe më tej:
“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.”
Pavarësisht kësaj dispozite, në vendimin e APK-së përmendet një afat maksimal prej dy vitesh./Insajderi.org/