Pak muaj më parë bëri bujë lajmi i vjedhjes së orës me vlerë 2 milionë euro i pilotit monogask të Ferrari, Charles Leclerc. Ngjarja ndodhi në Viareggio (Itali) pak ditë para garës në Imola. Një orë origjinale, e personalizuar, ku ndodhej edhe firma e vetë pilotit të “kokëkuqes”.
Ka qenë pikërisht kjo firmë që ka bërë që vlera e orës në tregun e zi të zhvlerësohej ndjeshëm. Hajdutët e njohur për vjedhje të tilla ishin nga Napoli, ku dhe ora e shtrenjtë ka qëndruar për disa muaj, deri në momentin që është shitur te një person ende anonim në Spanjë.
Ora “Richard Mille Rm 67-02” është shitur për vlerën e 200 mijë eurove, pra 10 herë më lirë. Sipas mediave italiane, hajdutët fillimisht kanë festuar për vjedhjen dhe kanë tentuar që ta shesin orën për shumën e 1 milionë euro, por kanë dështuar. Ndaj, janë “kënaqur” me 200 mijë euro, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Hajdutët ia vodhën orën pilotit duke përdorur një teknikë të vjetër. Fillimisht I kërkuan të bëjnë një foto, si fans dhe më pas ia morën nga pulsi i dorës, duke ikur me vrap. Të kota përpjekjet për t’i ndalur, ndërkohë që policia ka përdorur persona të infiltruar për të zbuluar hajdutët napoletanë.