Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i përkasin votimit përmes postës nga jashtë Kosovës, në kuadër të Zgjedhjeve Lokale për kryetarë dhe kuvende komunale.
Sipas njoftimit, fletëvotimet janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e institucionit në Kosovë.
Në total, janë grumbulluar 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat, pas mbërritjes në Kosovë, do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
KQZ ka kujtuar se në fazën e regjistrimit për votim përmes postës janë pranuar 43,933 aplikime nga shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ndërsa periudha e votimit ka zgjatur nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.