Sot ka ndërruar jetë Jeton Berisha, njëri nga tre viktimat e tentimvrasjes së para disa javësh në Pejë.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
“Është lëshuar urdhëri per obdukimin e viktimës nga Prokurori i shtetit”, ka thënë Nikçi për Insajderin.
Por, si kishte ndodhur rasti ku ai ishte plagosur bashkë me dy djemtë e tij:
Më 22 maj të këtij viti në qendër të Pejës, Jeton Berisha bashkë me dy djemtë e tij, Jetnisi dhe Jetarti, e kishin lënë të takohen me një person për ta blerë një veturë të tipit Golf III.
Pas takimit në mes të tyre, aty kishte ardhur edhe 21 vjeçari, Agron Gashi. Mospajtimi rreth blerjes së veturës kishte acaruar debatin mes familjes Berisha dhe Agron Gashit.
Sipas dosjes së Prokurorisë që ekskluzivisht ishte raportuar nga Gazeta Insajderi, Agron Gashi, kishte lënë takimin për t’u kthyer pas disa minutash.
Para se të del nga vendi ku po qëndronin Jeton, Jetnis dhe Jetart Berisha dhe personi me inicialet F.G (Familjar i Agron Gashit), i arrestuari Agron Gashi kishte përdorur fjalët “qaj person që lyp me ja shk*rdhy nonën unë ja shkredhej, ja rrasi alltin në gojë”. Pas kësaj i dyshuari Agron Gashi, kap për fyti Jetard Berishën. Sipas Dosjës, pas disa minutash, Agron Gashi, kthehet në vendin e njëjtë me armë në dorë. Aty ai fillon të shtijë ndaj të dëmtuarve, me qëllim që t’i privojë nga jeta.
Me të kryer krimin, 21 vjeçari ishte larguar nga vendi i ngjarjes për t’u mundur të arrestohet nga Policia 48 orë më pas.
Përveç tij ishte arrestuar edhe një familjar i të dyshuarit kryesor. Kjo për shkak që dyshohet se ka ndihmuar Agron Gashin për t’u arratisur.
Gjykata Themelore në Pejë pati marrë vendim që Agron Gashi të qëndrojë në paraburgim për 1 muaj, ndërsa familjarit tjetër i është shqiptuar masa prej arrestit shtëpiak.
Dy javë më pas, Jeton Berisha, njëri nga të plagosurit nuk mundi t’u përballojë plagëve të marra në këtë rast. Ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Derisa, dy djemtë e tij, po ashtu të plagosur, janë jashtë rrezikut për jetë.
Njëri nga ta ishte edhe ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.