Sesioni i pasdites në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, është ndërprerë, në mënyrë që Prokuroria t’i shkëpusë sekuencat kryesore të CD me video-incizimet që përfshijnë pamjet para shtëpisë së të akuzuarit Murseli dhe lëvizjet e tij, si dhe ndodhitë e 30 nëntorit 2023. Kjo ngase videoja që posedonin aktualisht, ka hapësirë deri në afro 1 TB.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka thënë se ka provuar t’i ndajë, mirëpo për shkak të pauzës zyrtarët e IT-së nuk kanë qenë të qasshëm.
“Gjatë pauzës kam tentuar të kontaktoj me IT-në, por për shkak të pushimit nuk kanë qenë të qasshëm. Duke pasur parasysh se folderi ka të bëjë me videoinçizimet e pamjeve para shtëpisë së të akuzuarit Naim Murseli, dhe se është një file i madh, rreth 700 deri 800 GB, do të ishte më mirë që kjo seancë të shtyhej për një datë tjetër. Prokuroria do të mundohet të marrë këto pamje dhe t’i vendosë në një CD”, ka deklaruar ajo.
Prokurorja tha që përmes këtyre pamjeve synojnë të paraqesin momentet kur Naim Murseli ka lëvizur gjatë ditës kritike, si dhe disa veprime dhe ngjarje të ditës së nesërme. Prokuroria, pas kësaj, do të mundohet të ndajë sekuencat sipas kohës.
“Ndërkohë, dëshiroj të deklaroj para trupit gjykues se të gjitha videoinçizimet janë në DVD të tjerë, dhe do të udhëzoj zyrtarin IT të kësaj gjykate të jetë i përgatitur që t’i shikojë në datën e caktuar të seancës. Prokuroria, për sa i përket ndarjes së videoinçizimeve të marra nga DVR, do t’i dorëzojë të gjitha palëve të interesuara në këtë procedurë”, tha ndër të tjera ajo.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku aprovoi propozimin e prokurores, duke ndërprerë seancën e sotme. /Insajderi.org/