Qeveria portugeze ka reaguar zyrtarisht këtë të mërkurë lidhur me ngjarjen e rëndë në Ksamil, ku një turist rreth 20-vjeçar, Luis Miguel Varela Mendes nga Portugalia, u gjet i vdekur në orët e para të mëngjesit të së martës.
Sipas dyshimeve të para, ngjarja ka nisur pas një konflikti që ka përshkallëzuar deri në përdorimin e thikës nga një 29-vjeçar, Sokrat Vata.
Përmes një deklarate për stacionin radiofonik portugez “Renascença”, Raquel Trindade, nga zyra e Ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, konfirmoi se qeveria portugeze po e monitoron rastin e vrasjes. Ajo theksoi se, megjithatë, autoritetet portugeze nuk kanë informacion zyrtar për atë që ka ndodhur dhe as për ndonjë hetim të mundshëm të kryer nga autoritetet në Tiranë.
“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që vdiq në Shqipëri dhe, nëpërmjet ambasadës së saj në Romë dhe gjithashtu konsullatës së nderit në Tiranë, po bashkëpunojmë me autoritetet lokale”, deklaroi ajo.
Trindade konfirmoi se, “për momentin”, ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur.
“Ne e dimë nga shtypi lokal se ka pasur arrestime, por për momentin nuk kemi ende informacion përmes rrjetit tonë”, shtoi Raquel Trindade.
Ajo siguroi se Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë “do të vazhdojë të monitorojë atë që është e nevojshme, si me autoritetet lokale ashtu edhe me familjet”, thuhet në reagimin zyrtar.