Nesër do të mbahet seanca e radhës kundër Dod Gjikolajt, i akuzuar për vrasjen e Haxhi Ahmetit në një akt ku u përdor eksplozivi si mjet.
Insajderi mëson që në seancën e nesërme do të sjellet ekspertiza e zbardhjes së incizimeve që ishte dërguar në Zvicër.
Këtë ekspertizë tashmë siç mëson Insajderi e posedon Prokuroria dhe në seancën e nesërme ajo do të prezantohet para trupit gjykues.
Për çka akuzohet Dod Gjikolajt?
Sipas aktakuzës së përpiluar më 5 gusht 2022 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Dod Gjikolaj, po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta të ndjerin Haxhi Ahmeti.
Aktakuza thotë se Gjikolaj kishte vendosur eksploziv në dyer të oborrit të H.A dhe me teledirigjues e ka aktivizuar ku ka mbetur një person i vdekur dhe A.K i lënduar. Gjikolaj ngarkohet për “Vrasje të rëndë” dhe posedim të paautorizuar të materialit eksploziv.
Insajderi i kishte përcjellur edhe seancat e kaluara të këtij gjykimi duke sjellur edhe rrëfime të familjarëve të viktimës.