Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se shefi i ushtrisë serbe Milan Mojsiloviq, pati “bisedën më të keqe deri më tani” me komandatin e KFOR’it, Ozkan Ulutash.
“Kjo ishte ndoshta biseda më e keqe midis Mojsiloviqit dhe komandantit të KFOR-it deri më tani”, deklaroi Vuçiq, sipas mediave serbe, shkruan Insajderi.
Ai e tha këtë kur u pyet nëse kishte folur me Mojsiloviqin pas bisedës së tij me komandantin e KFOR-it, duke qenë se ai njoftoi të hënën se shefi i ushtrisë serbe do të fliste me komandantin e KFOR’it rreth vendimit për të zvogëluar praninë e tij të përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë.
“Mojsiloviqi foli me njerëz nga KFOR-i, me komandantin, Ulutash, i cili tha “asnjë problem, Policia e Kosovës do të punojë me ne…”. Vërtet, asnjë problem? Në rregull, tani e shohim pse bëtë gjithçka që bëtë në vitin 1999, i kuptojmë të gjitha dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe, gjithçka është në rregull. Nga kjo perspektivë, të paktën e dimë me kë kemi të bëjmë. Thjesht mos u shtirni se jeni këtu për ndonjë lloj dialogu apo diçka të tillë, sepse nuk jeni për dialog”, deklaroi Vuçiq.
Sipas tij, nga kjo bisedë, Serbia tashmë e di “me kë ka të bëjë”. /Insajderi.org/