×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiq shpall “triumf historik”

    Insajderi
    25 April 2016 - 08:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar një “triumf historik” për Partinë e tij Pëparimtare serbe të qendrës së djathtë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke premtuar se do ta mbaj vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Serbia do ta vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe ne do të mundohemi ta përshpejtojmë atë”, ka thënë Vuçiq para përkrahësve të mbledhur në selinë e partisë në Beograd, në orët e vona të 24 prillit, pas shpalljes së rezultateve paraprake.

    Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Serbi kanë nxjerrë fitimtare Partinë Përparimtare serbe të Vuçiqit, me rreth 55 për qind të votave.

    Sipas këtyre rezultateve, Partia Socialiste e Ivica Daçiqit radhitet e dyta, ndërsa radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, radhiten në vendin e tretë.

    Ky i fundit, nuk është treguar i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve.

    “Nuk jemi të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, ne prisnim më shumë”, ka thënë Sheshel në orët e vona të së dielës. Ai ka shtuar se radikalët “do të tregonin se janë superior” në parlament.

    Pas një fillimi të ngadaltë, ritmi i votimit të 24 prillit arriti në rreth 47.7 për qind të pjesëmarrjes në votime dy orë para mbylljes së kutive, nga 6.7 milionë qytetarë me të drejtë vote.

    Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje pritej ta kalonte 53 për qindëshin e regjistruar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 në Serbi.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës janë vlerësuar si të rëndësishme për orientimin politik të Serbisë. Udhëheqësit politikë të Serbisë janë ndarë mëdysh ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

    Qeveria aktuale thotë se synon të ruajë lidhjet me Moskën, por njëkohësisht të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Grupet e djathta që fajësojnë perëndimin për pavarësinë e Kosovës, kërkojnë orientimin drejt Rusisë si aleate tradicionale e Serbisë.

    Vuçiq bëri thirrje për zgjedhje dy vite më herët sesa afati i paraparë duke theksuar nevojën edhe për një mandat më të fuqishëm se 131 ulëset që ka subjekti i tij, Partia Progresive Serbe, pak më shumë se gjysma e 250 ulëseve të Parlamentit.

    Një ish-ultranacionalist, i cili përkrahte idenë e Serbisë së Madhe, Vuçiq tani e prezanton veten si një reformist pro-evropian. Ai thotë se vota e 24 prillit do të tregojë nëse Serbia dëshiron t’i kthehet së kaluarës, apo të lëvizë kah e ardhmja./rel

     

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark