×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    VV akuzon pushtetin e PDK’së për punësime partiake në konkursin për sekretar, Komuna e Prizrenit mohon pretendimet

    Insajderi
    19 May 2023 - 13:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka hedhur akuza në drejtim të qeverisjes së PDK’së në këtë komunë. LVV pretendon se procesi i përzgjedhjes së sekretarëve të shkollave është realizuar me mostransparencë, shkelje dhe parregullsi ligjore.

    Sipas Vetëvendosjes, të përzgjedhurit nga konkursi janë pothuajse të njëjtit që ishin shpallur kandidatë fitues në konkursin e anuluar vitin e shkuar.

    Konkursi i anuluar me Nr. RN00009016 është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, për të cilin ende nuk e kemi marrë një përgjigje se çka është duke ndodhur me të! Mirëpo, konkursi i cili është duke u hetuar nga Prokuroria për shkak të parregullësive dhe shkeljeve ligjore për pozitën Sekretar në shkolla, është rishpallur për herë të dytë. Nga përzgjedhja e kandidatëve fitues vërejmë se janë pothuajse të njëjtit persona të cilët kanë qenë të përzgjedhur si kandidatë fitues në konkursin e parë i cili është anuluar“.

    Tutje, partia opozitare tha se kandidatët fitues janë të afërt me PDK’në dhe disa edhe asamblistë në Kuvendin Komunal.

    Kandidatë fitues në konkursin e rishpallur po del të jenë persona të afërt me PDK – në e cila udhëheqë me pushtetin komunal si dhe asambleistë te Kuvendit Komunal të cilët vazhdimisht kanë pretenduar se gjoja janë të pavarur në vendimet dhe veprimet e tyre, mirëpo vota e tyre e kushtëzuar pro pushtetit komunal po shpërblehet me favore dhe pozita të punës si Sekretar të shkollave“, thuhet në reagimin e degës së LVV’së në Prizren.

    Isa Gashi nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prizrenit ka thënë për Insajderin se të gjitha fazat administrative janë përfunduar dhe sekretarët kanë filluar punën.

    Ndërsa, për pretendimet e LVV’së për punësime të të afërmeve, Gashi tha se është përgjegjës Komisioni Përzgjedhës.

    Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që i kam, ju sqaroj se, Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore zhvillon procedurat e rekrutimit në bazë të Planit të Personelit, ndërsa Komisioni Përzgjedhës është përgjegjës dhe I pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve më të suksesshëm, ku kandidatët kalojnë në dy faza të vlerësimit, dhe si përfundim shpallet rezultati në bazë të rekomandimit të Komisionit Përzgjedhës. Pas asaj rrjedhë afati i ankesave të cilave i përgjigjet Komisioni i Ankesave. Të gjitha fazat administrative janë përfunduar për këtë procedurë dhe sekretarët kanë filluar punën“, u shpreh Gashi.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe drejtoreshën e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, për të marrë një koment lidhur me pretendimet e VV’së, por e njëjta ka qenë e paqasshme.

    Komuna e Prizrenit kishte anuluar konkursin për sekretar me 30 shtator 2022 për shkak se komisioni përzgjedhës nuk ka mundur të menaxhoj si duhet procedurat e rekrutimit.  

    “Për shkak të korrektësisë lidhur me këtë procedurë ju njoftojë se konkursi në fjalë është anuluar për arsye që komisioni përzgjedhës nuk ka mundur të menaxhoj këtë proces”, thuhej në përgjigjen dërguar Insajderit.

    Kujtojmë se anëtarët e komisionit të këtij konkursi ishin duke u hetuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Këtë e kishte konfirmuar Prokuroria e Prizrenit.

    Ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”- kishte thënë Fitore Mehmeti- Sejrani nga Prokuroria e Prizrenit.

    Konkursi për këto vende pune ishte hapur në muajin maj të 2022, për 9 pozita të lira në nëntë shkolla të komunës së Prizrenit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark