
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka konfirmuar se partia e tij ka një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate për bashkëqeverisje, ndonëse ajo nuk është e formalizuar në letër.
Sipas tij, bisedimet kanë qenë shumë pozitive dhe tashmë Vetëvendosje i ka të siguruara 61 vota në Kuvend, ndërsa synimi është që ky numër të rritet.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë,” deklaroi Avdyli në emisionin Konfront në KTV, përcjell Insajderi.
Ai theksoi se partia e udhëhequr nga Albin Kurti është në pozitë të favorshme për ta konstituuar Kuvendin.
“Ne i kemi 61, por nuk i kemi 63 a 65. Por synojmë t’i rrisim. I kemi të sigurt 61,” tha Avdyli.
Deputeti i VV-së foli edhe për kërkesat e Nismës në kuadër të bisedimeve për bashkëpunim, ku një ndër to është edhe ulja e pragut zgjedhor – një temë që, sipas tij, është diskutuar brenda subjekteve të shumicës.
“Nisma më shumë është duke kërkuar ato të cilat janë disa nga parimet. Një prej tyre është edhe ulja e pragut zgjedhor. Është një prej kërkesave që ne e kemi diskutuar edhe si Guxo. Ndoshta nuk është ide e keqe. Ende nuk është marrë ndonjë vendim për këtë,” shtoi ai.