
VV thotë se ka dëshmi se për 15 janë shpronësuar qindra hektarë tokë në vlerë qindra milionëshe, nga të cilat kanë përfituar “kasta kriminale e PDK-së dhe LDK-së”, njofton Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media.
“Kemi dëshmi dhe dyshime të bazuara se për 15 vite në Prishtinë janë shpronësuar me qindra hektarë tokë në vlerë qindra milionëshe nga të cilat ka përfituar një kastë e organizuar kriminale e shtrirë në institucionet komunale, në institucionet politike, në gjyqësi dhe në strukturat paralele të Serbisë”, ka thënë Ylli Hoxha nga radhët e Vetëvendosjes, njofton VV.
Ai më tutje ka thënë se njerëzit e politikës që kanë mandat t’i ndalonin këto, njerëzit e gjyqësisë, njerëzit e komunës, në fakt mundësuan që ky “rrjet i organizuar në subjektet politike të LDK-së dhe të PDK-së, ta shpronësojë Prishtinën dhe më tutje tërë Kosovën në shuma marramendëse qindra milionëshe”.
Sipas Hoxhës vetëm në zonën e Sofalisë janë tjetërsuar mbi 60 hektarë tokë dhe tha se grupi i asamblistëve të VV-së ka ngritur padi për këto veprime. /Insajderi.com