Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka thënë që lista e kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë e plotë me 110 kandidatët e paraqitur në fillim, përfshirë Albin Kurtin dhe të tjerët të cilëve iu ndalua kandidimi.
Ai në një konferencë për media tha se edhe pas vendimit të PZAP-së dhe Supremes për moscertifikimin e kandidatëve të kësaj partie, ata do të mbesin në listë për shkak që sipas Kurteshit, KQZ-ja nuk ua ka dhënë mundësinë e zëvendësimit të tyre.
“Lista e LVV-së në votime është e plotë me 110 kandidatë. Pas vendimit jo të drejtë të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme që kanë refuzuar mundësinë e zëvendësimit të kandidatëve është me 110 kandidatë ashtu siç është dorëzuar në fillim në KQZ. LVV-ja është ankuar dhe dy kandidatë nuk janë certifikuar por edhe nuk është dhënë e drejta për zëvendësimin e tyre. Lista është me 110 kandidatë ashtu siç e ka dorëzuar LVV-ja dhe ashtu duhet ta votojnë edhe qytetarët”, ka thënë Kurteshi.